Aktualitet

Katet pa leje, ministri Çuçi rikonfirmon vendosmërinë për t’ia rikthyer popullit!

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi sot mori pjesë në operacionin kundër shtesave pa leje, në një subjekt i cili jo vetëm ka shtesa kati pa leje, por dhe projektin e ka bërë ndryshe nga ai i miratuar më parë. Ai foli për një operacion të zbatimit të ligjit, ndërsa theksoi:

Ky subjekt jo vetëm ka kate pa leje, por ka dhe një ndryshim skandaloz të projektit nga ai i miratuar më parë. Nga sot, pasi të mbarojnë verifikimet e plota për gjithë sipërfaqen dhe shtesat pa leje, ato do t’i nënshtrohet ligjit dhe çdo metër katror i bërë pa leje do t’i kthehet publikut, do t’i kthehet popullit.

Kjo që po bëjmë nuk është një fushatë mediatike apo një demagogji, por është një operacion i ligjzbatimit kundër këtyre guximtarëve, të cilët i zbatojnë aventurat e tyre mbi sistemin, e pjesës së vjetër të drejtësisë, të cilët kur u vijnë dosje nga njerëz apo subjekte të kamura për evazion fiskal për ndërtim pa leje e për krime të tjera, e shohin si mundësi për të pasuruar xhepat e tyre.

Kështu ndodh që ndëshkohen njerëz për një avlli, çati apo dritare e penalizohen, ndërsa këta shpëtojnë nga kjo pjesë e mbetur e sistemit të vjetër të drejtësisë. Sigurisht, Policia, IKMT-ja ka kusuret e veta, po sikur kjo pjesë e sistemit të drejtësisë të kishte bërë aq sa ka bërë policia dhe organet e tjera ligjzbatuese si IKMT, sot do të kishim rezultate shumë më të mira nga ato që kemi sot. E megjithatë, ne në këto kohë, në këto vite, si rezultat i punës sonë kemi arritur ta ulim 10-fish numrin e sipërfaqeve të ndërtuara pa leje në Shqipëri.

Ministri Çuçi theksoi se, “çdo metër katrorë i bërë pa leje do t’i kthehet publikut”. Një ditë më parë, kryeministri Rama njoftoi se u firmos akti i parë i dorëzimit tek shteti i mbi 4 mijë metrave katrorë, ndërtuar pa leje në kryeqytet.

4 mijë e 646 metra katrorë pa leje në mes të Tiranës, i kalojnë shtetit me kontratë noteriale. E ky është vetëm akti i parë i marrjes për interes publik të pasurive në metra katrorë të paligjshme, që do të pasohet nga të tjerët deri në metrin e fundit katror.