Aktualitet

KE-ja gati për nisjen e bisedimeve me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut!

Presidentja e Komisionit Europian, Ursula Von der Leyen shprehet se komisioni është gati të nisë bisedimet me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë për rrugën drejt BE-së. Në një postim në Twitter, zyrtarja e lartë europiane shkruan:

Telefonatë e mirë me kryeministrin Kovaçevski. Lajme të mirëseardhura që Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria me mbështetjen e Francës, janë afër një marrëveshjeje që merr parasysh interesat e shqetësimet. Komisioni Europian është gati të nisë procesin e shqyrtimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, për hapin e radhës në rrugën e tyre europiane.

ip

Pasditen e djeshme, presidenti i Francës, Emmanuel Macron, tha se mendon se është gjetur një zgjidhje kompromisi për kornizën e negociatave të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian, e që do të përfshinte edhe Bullgarinë.

Mendoj se kemi gjetur një zgjidhje kompromisi!

Por, shefi i Elizesë nuk dha detaje nëse bëhet fjalë për një propozim që është dhënë më herët nga Presidenca franceze apo për një tjetër.
Kujtojmë se Qeveria e Maqedonisë së Veriut e ka hedhur poshtë propozimin fillestar të Presidencës franceze, duke thënë se “ai nuk jep garanci për mbrojtjen e gjuhës, identitetit dhe historisë maqedonase”.

Tashmë prej dy vitesh, Bullgaria bllokon nisjen e negociatave të anëtarësimit mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Europian, për shkak të disa mosmarrëveshjeve me Shkupin rreth gjuhës e historisë. Më 24 qershor, Parlamenti i Bullgarisë votoi për heqjen e vetos. Ndërkohë, burime në Bruksel konfirmojnë se propozimi i ri merr parasysh shqetësimet e shprehura nga të dyja palët.

Maqedonia e Veriut ka statusin e vendit kandidat për në BE prej 17 vitesh dhe ka marrë dritën jeshile për të filluar bisedimet e anëtarësimit në vitin 2020. Data për fillimin e negociatave nuk është caktuar kurrë, për shkak të vetos bullgare. Për pasojë, edhe Shqipëria ka mbetur pas, sepse disa shtete të Unionit nuk duan që vendi ynë të ndahet nga paketa me Maqedoninë e Veriut.

Kryeministri Rama shprehet i bindur se Maqedonia e Veriut do e pranojë propozimin e presidentit francez, Emmanuel Macron për zgjidhjen e ngërçit me Bullgarinë. Rama tha sot se propozimi i ri është përfundimtari dhe se në këndvështrimin e tij, “është i pranueshëm”.

Qeveria, shumica në parlamentin e Maqedonisë së Veriut do ta pranojnë pa asnjë hezitim!