Bota

KE-ja i kërkon presidentit Putin të lirojë Aleksei Navalny-n!

Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, i kërkoi presidentit rus Vladimir Putin, të lirojë Aleksei Navalny-n. Lideri opozitar u ndalua fundjavën e kaluar dhe u burgos për 30 ditë, me pretendimin se shkeli lirinë me kusht lidhur me një dënim të disa viteve më parë. I rikthyer në Moskë nga Gjermania, ku u trajtua në një spital të Berlinit pas helmimit me agjent nervor, ai rrezikon deri në tre vjet burg nëse shpallet fajtor.

Për helmimin u fajësua Kremlini por i hodhi poshtë akuzat. Thirrje për të liruar Navalny-n ka bërë dhe Amerika. Michel deklaroi se liderët e BE-së presin që Rusia të kryejë hetim urgjent dhe transparent në lidhje me përpjekjen e helmimit kundër Navalny-t. Ai po ashtu shprehu pritjen që Rusia të bashkëpunojë me Organizatën për Ndalimin e Armëve Kimike në hetim.

44-vjeçari Navalny është një kritik i ashpër i presidentit rus Vladimir Putin. Ai u sëmur në muajin gusht të vitit 2020 gjatë një fluturimi për në Moskë. Pas aterimit emergjent në qytetin siberian Omsk ai kaloi dy ditë në një spital rus dhe më pas u dërgua në Berlin për mjekim.