Aktualitet

KE: “Shqipëria ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar!”

Komisioni Europian prezanton sot Raportet e Progresit për vendet e zgjerimit. Për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut përsëritet qëndrimi i shprehur edhe më herët se i kanë përmbushur të gjitha kushtet për të nisur negociatat e anëtarësimit. Paketa e Zgjerimit konstaton vetëm përparim të kufizuar të vendeve drejt përmbushjes së kritereve për integrimin europian.

Shqipëria ka shënuar përparim të mirë në fushën gjyqësore ndërsa vazhdoi zbatimin e reformës gjithëpërfshirëse gjyqësore.

Një prej arritjeve kryesore në këtë drejtim, konsiderohet emërimi i tre gjyqtarëve të rinj në Gjykatën Kushtetuese, që i ka mundësuar të ketë kuorumin prej gjashtë gjyqtarësh, që të mbajë mbledhje.

Sa i përket Vetting-ut, progres-raporti thekson se 62% e rasteve që i janë nënshtruar këtij procesi, rezultuan në shkarkim ose largim nga puna. KE-ja thotë se “Shqipëria shënoi progres në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe ka bërë përparim të mirë në luftën kundër krimit të organizuar, duke arritur rezultate të mira, në këtë drejtim”.

Por, ka kritika sa i përket sulmeve verbale, fushatave të shpifjes dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve.

Tensionet ndërmjet aktorëve politikë dhe gazetarëve janë rritur gjatë pandemisë COVID-19 e në kontekstin e zgjedhjeve parlamentare.

Gjithashtu, Brukseli zyrtar vë në dukje se “numri i azilkërkuesve në BE nga Shqipëria, ra me 66% në 2020-ën, krahasuar me vitin 2019, përkatësisht nga 20.415 në 6.935 azilkërkues. Raportet miratohen sot nga Kolegji i Komisionerëve dhe prezantohen para eurodeputetëve nga eurokomisioneri Oliver Varhelyi.

Përmes Progres Raportit, Brukseli zyrtar i bën thirrje institucioneve të Kosovës, t’i japin përparësi zbatimit të axhendës europiane. Dokumenti përfshin 2020-ën dhe 8 muajt e parë të këtij viti. Nga të gjitha shtetet e rajonit, Komisioni Europian kërkon të bëhen më shumë përpjekje në luftën kundër krimit të organizuar e korrupsionit, në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin rajonal, me fokus sundimin e ligjit.

Nga vendet e Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian kërkon të mbështesin qëndrimet europiane në politikën e jashtme. Mjaft kritik pritet të jetë edhe raporti për Bosnje e Hercegovinën, ku vazhdon kriza politike. Po ashtu do të përmendet kriza në Malin e Zi, si dhe tensionimi i raporteve të Podgoricës me Beogradin.