Amerika u ka dhënë leje Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë që të dërgojnë armët e tyre të prodhimit amerikan në Ukrainë, me qëllim që të mbështesin këtë vend. Kjo cilësohet një lëvizje e re që ka ardhur nga administrata amerikane, pas grumbullimit ushtarak të Rusisë në rajonet pranë kufirit ukrainas.
Referuar një zyrtari, gazeta amerikane “Wall Street Journal” shkruan:
Shtetet e Bashkuara lejuan anëtarët e rajonit baltik të NATO-s, të dërgojnë raketat antitank “Javelin” dhe antiajrore “Stinger”, për të mbështetur ushtrinë ukrainase.
Një zyrtar që foli për gazetën tha se “administrata e presidentit Joe Biden ka njoftuar Kongresin lidhur me miratimin e shitjes së helikopterit transportues “Mi-17” për Ukrainën”.
Ndërkohë, Pentagoni dhe Departamenti Amerikan i Shtetit janë shmangur të japin deklarata për këto dy çështje. Me tensionet në rajon që janë përshkallëzuar, Sekretari i Shtetit, Antony Blinken vizitoi Kievin dhe përsëriti mbështetjen për Ukrainën. Uashingtoni paralajmëroi se do të vendosë sanksione të rënda ndaj Rusisë nëse pushton Ukrainën.
Ndërkaq, asnjë sukses nuk pati në bisedimet e sotme për Ukrainën mes Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken dhe Ministrit rus të Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov. Takimi u zhvillua në Gjenevë të Zvicrës, në një përpjeke të vazhdueshme për të lehtësuar tensionet e ngritura prej javësh, mes shqetësimeve se Rusia do ta pushtojë Ukrainën, pavarësisht paralajmërimeve për pasoja të rënda. Në fokus të diskutimeve, tentativa që të shmanget një luftë e mundshme në Europë.
Lavrov tha se “shpreson që emocionet të ulen, pas bisedimeve të sinqerta me Shtetet e Bashkuara, të cilat ishin të hapura e të dobishme”, ndonëse nuk u arrit te ndonjë pikë kthese. As ato të disa ditëve më parë nuk arritën të krijojnë një urë për të tejkaluar ndasitë mes Perëndimit dhe Moskës. Blinken paralajmëroi për kundërpërgjigje “të shpejtë dhe të ashpër” nëse Rusia pushton Ukrainën, por theksoi se “Uashingtoni mbetet i hapur për të gjetur një zgjidhje diplomatike për krizën”.
Në Krime e pranë kufijve me Ukrainën, Rusia ka grumbulluar mbi 100 mijë trupa, duke ngritur alarmin në kryeqytetet perëndimore se Moska po përgatit veprime të mëtejshme ushtarake kundër Ukrainës.