Bota

Kërcënimi rus për Ukrainën, diplomacia amerikane në veprim!

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken po viziton Ukrainën, për t’i ofruar mbështetje këtij shteti, pas shqetësimeve për pushtim nga ana e Rusisë. Në kryeqytetin Kiev, Blinken do të bisedojë me presidentin Volodymyr Zelenskiy e të tjerë zyrtarë të lartë ukrainas, para se të niset drejt Berlinit, për të folur me liderë europianë rreth unitetit në këtë çështje. Më tej, më 21 janar, diplomati i lartë amerikan do të takojë homologun rus, Sergei Lavrov në Gjenevë të Zvicrës.

Për shkak se Rusia ka mbledhur rreth 100 mijë trupa pranë kufirit me Ukrainën dhe një numër forcash për stërvitje të shpejta në Bjellorusi, Perëndimi është i alarmuar mbi rrezikun e një konflikti të ri. Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Jen Psaki:

Kjo është një situatë jashtëzakonisht e rrezikshme. Ne jemi në një pikë kur Rusia mund të sulmojë Ukrainën në çdo çast.

Por, Moska mohon planet për sulmin ndaj Ukrainës dhe akuzon NATO-n se po planifikon ta pranojë këtë vend si anëtar të Aleancës. Javën e kaluar, diplomatët rusë takuan zyrtarë të lartë nga Shtetet e Bashkuara, NATO dhe shtete europiane, për të diskutuar kërkesat e Moskës, të cilat nënkuptojnë ristrukturim të arkitekturës së sigurisë. Bisedimet përfunduan pa marrëveshje.

Ka shqetësime në rritje në Uashington se sulmi rus mund të niset nga Bjellorusia, ku lideri autoritar, Alyaksandr Lukashenko qëndron prej dekadash në pushtet, me mbështetjen e homologut rus, Vladimir Putin, pas protestave popullore kundër regjimit të tij 27-vjeçar.

Ndërkaq, në Berlin, Blinken do të takojë Ministren e Jashtme të Gjermanisë, Annalena Baerbock, si dhe pritet të zhvillojë bisedime me zyrtarë të Britanisë së Madhe e Francës. Bisedimet do të fokusohen “në përpjekjet e përbashkëta për të ndalur agresionin e mëtejshëm rus ndaj Ukrainës”.

Gjermania, e cila ka lidhje të thella ekonomike me Rusinë, është vënë nën presion nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatë të tjerë të NATO-s, për të pasur qëndrim më të ashpër ndaj Moskës.