Rajoni

Kërcënohet deputetja shqiptare!

Aktorja dhe njëkohësisht deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës, Adriana Matoshi ka deklaruar publikisht se ka marrë kërcënime të ndryshme për shkak të angazhimit të saj në mbrojtjen e të drejtave të grave.

Përmes një statusi në “Facebook”, Adriana është shprehur se kërcënime të tilla nuk do ta ndalin në këtë angazhim.

“Ditëve të fundit jam bërë cak i kërcënimeve të ndryshme për shkak të angazhimit tim në mbrojtje të drejtave të grave, sidomos ndihmës që po ju jap grave të cilat me vite kanë pësuar dhunë psiqike e fizike nga burrat e tyre”, ka shkruar ajo.

Më tej, Matoshi ka shtuar se ajo nuk i frikësohet aspak kërcënimeve të tilla dhe do të vazhdojë të punojë sa më fort për mbrojtjen e të drejtave të grave.

“Gabon rëndë ai që mendon që më frikëson, sepse hyrja ime në politikë dhe parlament ka një mision, i cili nuk do të pushojë para se çdo nënë, motër e grua ta fitojë lirinë dhe të drejtën e vet elementare njerëzore për të jetuar e lirë dhe e pacënuar nga askush”, ka përfunduar ajo.