Aktualitet

Kërcënuan se do të hidheshin, zbresin nga shtylla dy banorët e Bërxullës që protestojnë për tokat kundër Gener 2 e ministres Balluku!

Zbresin nga shtylla e tensionit të lartë gruaja dhe nipi i saj, që me të tjerë banorë të Bërxullës protestojnë për të kundërshtuar vlerën e shpronësimit të tokave që iu preken nga projekti i rrugës Thumanë-Kashar. Ata zbritën me ndihmën e zjarrikësve e paralajmëruan se nëse nuk marrin zgjidhje do të vazhdojnë edhe më ekstremisht. Në vendngjarje kishte edhe forca policie, por qëndruan të distancuar pasi protestuesit kërcënonin se do të zhvendoseshin edhe më në lartësi nëse iu afroheshin efektivët.

Jam me e fortë se kurrë! Ku është shteti? Ku është qeveria?” – pyeste zonja.

Pasi zbriti, nipi i saj ashtu si edhe banorë të tjerë kanë përsëritur, deklaroi se pronën “do ta mbrojnë me gjak!”

Nëse nuk marrim zgjidhje do të vazhdojmë edhe më ekstremisht! Shteti do të na vjedhë dhe do të na rrëmbejë pronën. U bindëm se kemi fëmijë, por pronën do e mbrojmë me gjak.

Banorët e Bërxullës thonë se nuk kanë marrë asnjë njoftim lidhur me projektin e as për shpronësimet. Sipas tyre, kompania Gener 2 që fitoi koncesionin, nisi punën në terren pa patur leje ndërtimi e në kundërshtim me ligjin. Dëmshpërblimin e ofruar e quajnë “qesharak”. Banorët kërkojnë konsultim publik, duke paralajmëruar se protestat e tyre do të jenë të pandalshme derisa e drejta të fitojë.

Ndërsa kundërshtojnë vlerën e shpronësimit, kërkojnë që përfaqësues të Ministrisë së Infrastrukturës, dikasterit të drejtuar nga Belinda Balluku të shkojnë e të takohen me ta. Deri më tani nuk ka asnjë reagim nga institucionet.

Në mënyrë të vazhdueshme, banorët protestues të Bërxullës e kanë bërë të qartë se nuk janë kundër projektit të rrugës, por se sipas tyre, problematika qëndron te vlera e tokës dhe banesave. 20 shtëpi rrezikohen nga projekti dhe qeveria nuk ka një vendim për zhvendosjen e tyre. “Shtyllat e projektit do të prekin mbi 60 banesa të tjera nëse zhvendosen nga devijimi i aksit” – thonë banorët.