Politikë

Kërkesa nga degët e PD, shtyhet orari i votimit për kreun e ri të demokratëve

Është shtyrë me 2 orë procesi i votimit për kreun e ri të PD-së.

“Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale pranë Partisë Demokratike njofton se pas kërkesave të shumta të ardhura prej degëve, ka vendosur të shtyjë orarin e votimit deri në orën 20.00”, bën me dije Rithemelimi.

Procesi filloi në orën 08:00 të mëngjesit të sotëm dhe ishte parashikuartë zgjaste deri në orën 18:00.

Zgjedhjet po zhvillohen në 108 qendra qendra votimi, ndërsa i pari në fletën e votimit është vendosur ish-kryeministri Sali Berisha kurse i dyti rivali i tij Ibsen Elezi.

Edhe më herët u bë me dije se nëse deri në orën 18:00 nuk kanë votuar të gjithë anëtarët, Qendrat e Votimit nuk do të mbyllen derisa të ketë votuar edhe personi i fundit.

Këto zgjedhje që zhvillohen nga Komisioni i Rithemelimit vijnë në një kohë që çështja e drejtimit të PD është ende në pa një vendim të fundit nga ana e Gjykatës, e cila pak javë më parë ka pranuar ankimin e Enkelejd Alibeaj, kundër vendimit të gjyqtarit Agron Zhukri, që regjistroi ndryshimet statutore të PD të bëra në Kuvendin e 11 dhjetorit të zhvilluar nga Komisioni i Rithemelimit.

Pa pritur vendimin e Gjykatës Komisioni i Rithemelimit caktoi datën e zgjedhjeve të reja, ndonëse nga pala tjetër, që është konsideruar si e Alibeajt, këto zgjedhje janë të njëanshme dhe nuk kanë përfshirë të gjithë demokratët.