Rajoni

Kërkesë që çështja e Luginës së Preshevës të trajtohet në OKB!

Përfaqësuesit politikë të shqiptarëve të Luginës së Preshevës po lobojnë në Shtetet e Bashkuara që ta vendosin çështjen e komunave në jug të Serbisë, Preshevë, Medvegjë e Bujanoc në axhendën e Kombeve të Bashkuara. Këtë e konfirmoi për Radion Evropa e Lirë, Ragmi Mustafi, kryetar i Këshillit Kombëtar Shqiptar.

Më herët, u raportua se përfaqësuesit e shqiptarëve nga Presheva, Medvegja e Bujanoci janë takuar në Nju Jork me ambasadorin e Shqipërisë në OKB, Ferit Hoxha. Pas këtij takimi është thënë se çështja e Luginës së Preshevës do të trajtohet në OKB. Më 1 qershor, për herë të parë Shqipëria mori kryesimin njëmujor të Këshillit të Sigurimit.

Mustafi deklaroi se përfaqësuesit e komunitetit shqiptar që jeton në jug të Serbisë, janë duke kërkuar që në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të zgjidhet problemi i Luginës së Preshevës.

Ajo që kërkohet është që të mos ketë normalizim të marrëdhënieve derisa Lugina të jetë në axhendën e zgjidhjes së problemeve në Ballkanin Perëndimor. Kjo do të thotë se përveç zgjidhjes së çështjes së pakicave kombëtare në Ballkanin Perëndimor përmes normalizimit të marrëdhënieve mes Prishtinës dhe Beogradit, duhet të ketë standarde uniforme për trajtimin e pakicave kombëtare”.

Kryetari i Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi, kreu i Partisë për Veprim Demokratik, zyrtarja e kësaj partie, Ardita Sinani dhe kryetari i Partisë Demokratike të Shqiptarëve, Ragmi Mustafa, kanë udhëtuar për në selinë e OKB-së në Nju Jork. Pas takimit me ambasadorin Hoxha, Arifi njoftoi se e kanë informuar ambasadorin shqiptar për “situatën politike në Luginë dhe problemet me të cilat përballen shqiptarët në Serbi”.

Përfshirja e Luginës së Preshevës në organizatën më gjithëpërfshirëse ndërkombëtare është tejet me rëndësi për të treguar të vërtetën e gjendjes dhe pozitës së shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Delegacioni nga komunat në jug të Serbisë do të ketë takime me përfaqësuesit e administratës amerikane dhe diasporës shqiptare.
Kjo nuk është hera e parë që përfaqësuesit e shqiptarëve në tre komunat në jug të Serbisë, kërkojnë që në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi të përfshihet edhe statusi i pakicës kombëtare shqiptare në Serbi.