Aktualitet

Kërkime në Greqi për portugezin, bashkëpunim me homologët për kapjen e Ruben Saraiva

Portugezi Ruben Saraiva që ekzekutoi 51-vjeçarin, Ardian Nikulaj ka dyshime se fshihet në shtetin grek.

Nga të dhënat e deri tanishme të policisë së shtetit, rezulton se Saraiva nuk ka dalë zyrtarisht nga territori i Greqisë prej datës 20 prill, kur hyri nëpërmjet doganës së kapshticës një ditë pas vrasjes. Ai u largua bashkë me anglezin Harry Simson dhe të dy vazhdojnë të jenë ende në kërkim.

Ndërkohë policia shqiptare po shkëmben ifomracion edhe me autoritetet portugeze dhe ato britanike për të lokalizuar dhe arrestuar dy personat e shpallur në kërkim.

Një ditë më parë në prangat e policisë angleze përfundoi Edmond Haxhia si dhe tre shtetasit anglezë, Stephen Hunt, Thomas Mithan dhe Harriet Bridgerman të shpallur në kërkim si autorët e vrasjes së biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin në 19 Prill. Ata arrestuan në Londër në një operacion të zhvilluar nga një agjenci për goditjen e krimit të organizuar.

Referuar materialeve të dërguara në Angli nga autoritetet shqiptare, gjykata ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “Arrest në burg”. Edmond Haxhia, cilësohet si organizator dhe 3 anglezët që bashkëpunuan për të kryer vrasjen e Nikulajt, do të kalojnë përmes një procesi gjyqësor, pasi do të jetë drejtësia atje që do të vendosë për ekstradimin drejt vendit tonë.

Ardian Nikulaj u vra mesditën e 19 prillit në ambientet e lokalit në pronësi të tij në Shëngjin. Prokuroria dhe Policia e Lezhës thonë se ngjarja ka pasur motiv gjakmarrjen. Shkak është bërë një konflikt mes dy fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj që ka nisur në vitin 1996 dhe ka vijuar deri në vitin 1999 ku ka pasur disa të vrarë.