Aktualitet

Kërkohej në dy vende, por biznesmeni i zhdukur Davide Pecorelli qëndronte në Vlorë mes rakisë e miqve!

Davide Pecorelli, italiani i cili inskenoi vdekjen e tij në janar të këtij viti, i ka gënjyer të gjithë. Pasi u zbulua se ishte gjallë në Itali, ai u mor në pyetje nga prokurorët ndërsa gazetarëve iu tregoi se gjatë gjithë kësaj kohe kishte qëndruar me murgjit në Bosnje.

Por, në të vërtetë Davide Pecorelli, jetonte në Vlorë: me miq që e mirëprisnin, me raki, ushqime e biseda të gjata për futbollin. Në muajin mars, ai iu prezantua me emrin Cristiano dhe gjatë gjithë verës ka qëndruar në Vlorë, në lokale, restorante e plazh. Madje, bënte plane të udhëtonte me ekipin e Flamurtarit në Parga të Greqisë për një ndeshje miqësore.

Davide Pecorelli ka qëndruar aq gjatë në Shqipëri sa mësoi shqip, në kohën kur kërkohej si në vendin tonë, ashtu edhe atë fqinj. Për të mendohej më e keqja pasi në janar të këtij viti, pranë Pukës u gjet e djegur një makinë që kishte marrë me qira në Aeroportin e Rinasit. Brenda kishte edhe mbetje kockore.

Çdo ditë, sipërmarrësi shëtiste në Lungomare, luante futboll ne fushat e sportit dhe bënte plazh. Miqve të tij shqiptarë iu tregonte se po shkruante një histori për Kontin e Monte Kristos, të vendosur në ishullin e Sazanit. Aq shumë ishte fiksuar me këtë histori, sa në fund u kap pikërisht në ishullin e famshëm të Montekristos në Itali, pas zhdukjes 8 mujore.

Për makinën në Pukë, prokuroria shqiptare pritet ta vendosë nën akuzë për shkatërrim prone deri edhe zhvarrosje. Ndërkohë mendohet se në këtë mashtrim Pecorelli ka pasur bashkëpunëtorë që e ndihmuan.