Aktualitet

Kërkoi pezullimin e dënimit, GJKKO shtyn vendimin për Adriatik Llallën!

GJKKO ka shtyrë datën e shqyrtimit të kërkesës së ish-Kryeprokurorit Adriatik Llalla, i cili kërkon pezullimin e dënimit me dy vite burg.  Gjykata pasi dëgjoi shkaqet e ankimimit, shtyu shpalljen e vendimit për në datë 10.11.2021, ora 10:00, për arsye se paraprakisht nga gjyqtari i Gjykatës së Posaçme të Apelit që do të caktohet me short, do të shqyrtohet kërkesa për përjashtimin e trupit gjykues.

Kujtojmë se GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave.

Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe i është konfiksuar pasuria.

Ndërkohë nga 8 tetori, Llalla u shpall nga SPAK-u zyrtarisht në kërkim ndërkombëtar, pasi Policia e Tiranës nuk e gjeti atë brenda vendit, për ekzekutimin e vendimit të Gjykatës.

Më 22 shator ditën kur u dha dënimi, policia shkoi në shtëpinë  Adriatik Llallës për ta arrestuar, por ai nuk ndodhej aty dhe  familjarët thanë se “nuk e dinin se ku ndodhej”. Llalla është larguar nga Shqipëria më 7 shtator nga Rinasi drejt Romës. Ndërkohë që vendndodhja e tij nuk dihet aktualisht.