Bota

Kërkojnë paga më të larta dhe siguri në punë, punonjësit e sistemit hekurudhor fusin në ‘kolaps’ Londrën!

Me mijëra punonjës të sistemit hekurudhor kanë bojkotuar punën për të kërkuar një pagë më të lartë dhe siguri për vendet e punës.

Kjo është greva më e madhe që Londra ka parë ndonjëherë në 30 vitet e fundit. Si asnjëherë më parë stacionet kryesore hekurudhore në Londër sot ishin bosh, duke rikthyer në vëmendjet ditët e izolimit nga Covid.

Gati 50 mijë punonjës do të ndërpresin punën për tre ditë në shenjë protestë, por vendimi nuk është mirëpritur nga të gjithë.

“Është absolutisht e tmerrshme. Normalisht, rruga që unë duhet të bëj përditë është rreth 30 minuta dhe tani më është zgjatur në rreth 1 orë e 15 minuta. Unë kam gjëra për të bërë, kam takime, dita duhet të vazhdojë dhe greva me të vërtetë nuk po i ndihmon askujt nëse më pyesni mua”, tha Mohammed Zamin.

“Unë me të vërtetë nuk e justifikoj këtë veprim. Më duket sikur gjatë gjithë pandemisë ata djem u kujdesën shumë mirë për punën. Aktualisht të gjithë vuajmë nga të njëjtat probleme, prandaj nuk jam dakord me këtë që po ndodh”, tha Johnny Carr.

“Mendoj se ndoshta është e drejtë kjo grevë, sepse me çdo gjë që po rritet dhe njerëzit nuk paguhen sa duhet, është një situatë e vështirë. Gjithashtu nga ajo që kam dëgjuar nga disa nga punëtorët e trenit, ata nuk kanë staf të mjaftueshëm, kështu që ka presion shtesë mbi ta”, tha Terrie Fiawoo.

Familjet britanike tashmë po përjetojnë shtrëngimin më të madh ekonomik në dekada, me rritjen e çmimeve të ushqimeve dhe karburanteve duke e çuar inflacionin drejt shifrave dyshifrore.

Ndërkohë duket se që tani qeveria britanike ka filluar të marrë masa për të paraprirë përsëritjen e ngjarjeve të tilla në të ardhmen.

Ministrat do të ndryshojnë ligjin për të siguruar që ndikimi i protestave të sindikatave të jetë më pak i dëmshëm në të ardhmen, për pasagjerët.

Sekretari i Transportit, Grant Shapp tha se qeveria tani nuk mund të bëjë asgjë për të ndaluar grevën aktuale tre ditore, por ne tha ai, ne do të sigurojmë që ligji të jetë fort në anën e pasagjerëve, në anën e konsumatorëve, nga këtej e tutje.

Qeveria britanike planifikon ta bëjë këtë duke ndryshuar rregullat për të lejuar punëtorët nga diku tjetër në një organizatë, ose që janë të punësuar nga agjencitë, të plotësojnë punëtorët në grevë.