Bota Tech

Kërkon të taksojë miliarderët, Musk ironizon zyrtarin amerikan: “Harroj që je gjallë…”

Së fundmi, miliarderi Elon Musk është tallur me senatorin veteran Bernie Sanders duke replikuar me të për çështjen e taksimit të të pasurve. I njohur si një mbështetës historik i socializmit demokratik, Sanders kishte shkruar në një postim në Twitter:

Duhet të kërkojmë që personat ekstremisht të pasur të paguajnë pjesën e tyre. Pikë!

Musk nga ana tjetër reagoi duke thënë:

Gjithmonë më del nga mendja që je ende gjallë. Mos do të më shesësh më shumë aksione Bernie? Vetëm më thuaj…

Elon Musk, themelues i kompanisë së prodhimit të makinave elektrike Tesla, ka një pasuri rreth 300 miliardë dollarë, që sipas Sanders e fut në listën e personave “ekstremisht të pasur”. Në fakt, ai është një ndër 5 më të pasurit e planetit, sipas indeksit të miliarderëve të publikuar nga “Bloomberg”. Edhe pse është transferuar në Teksas, ku nuk duhet të paguajë tatim mbi të ardhurat, Musk ka pranuar se ka ende detyrime ndaj shtetit të Kalifornisë, pasi kalon përsëri shumë kohë duke punuar aty.

Si kryetar i komisionit për buxhetin në Senatin amerikan, Sanders ka propozuar që më të pasurit e vendit të detyrohen të paguajnë një taksë ekstra mbi pasurinë e tyre, që sipas tij do të sigurojë 4,35 trilionë dollarë në dhjetë vitet e ardhshme dhe do të përgjysmojë pasurinë e tyre në 15 vitet e ardhshme. Edhe demokratët, që momentalisht kanë shumicën në Kongres dhe Senat, si edhe drejtojnë Shtëpinë e Bardhë, janë përpjekur edhe më parë të mbështesin nismën e taksimit të miliarderëve.

“Pak nga njerëzit më të pasur në botë mund të zhdukin urinë nga planeti nëse dhurojnë një pjesë të vogël të pasurisë së tyre”. Kjo sipas drejtorit të Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së. Në një intervistë për CNN, David Beasley u bëri thirrje miliarderëve që të ndërhyjnë tani, madje duke iu drejtuar dy njerëzve më të pasur në botë, Jeff Bezos dhe Elon Musk. Ndërkaq, ai u shpreh se:

Gjashtë miliardë dollarë për të ndihmuar 42 milionë njerëz që do të vdesin nga uria.

Lidhur me këtë deklaratë së fundmi ka reaguar dhe Elon Musk. Në një postim të fundit në Twitter, Musk ka shprehur se është i gatshëm që të dhurojë një pjesë të pasurisë së tij për t’i dhënë fund krizës së urisë në botë, mjafton që Organizata e Kombeve të Bashkuara t’i vërtetojë se si 6 miliardë dollarë do t’i japin fund krizës.