Aktualitet Politikë

Kërkuan shkarkimin e gjyqtares Irida Kacerja, Gjykata e Apelit rrëzon kërkesën e grupit të Alibeajt!

Gjykata e Apelit të Tiranës ka rrëzuar kërkesën e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike për të përjashtuar gjyqtaren Irida Kacerja nga çështja e bashkimit të statutit të partisë. Grupi i Enkelejd Alibeajt e kishte kërkuar shkarkimin me argumentin se mund të paragjykojë këtë çështje, por gjykata e ka rrëzuar, madje i ka vënë grupit të PD-së një gjobë me vlerën 10 mijë lekë. Kjo gjobë është vendosur pasi kërkesa e grupit të Alibeajt është vlerësuar jashtë standardeve ligjore nga Apeli i Tiranës.

Në vendimin e Apelit thuhet se kërkesa e grupit të PD-së është vlerësuar e pabazë pasi nuk ka asnjë provë serioze të paraqitur që do të vinte në dyshim paanësinë e Kacerjas. Apeli ka vlerësuar se mbi gjyqtaren nuk ka asnjë pretendim për konflikt interesi mbi gjykimin e kësaj çështjeje dhe për këtë arsye është rrëzuar edhe kërkesa e PD-së.

“Qartazi konstatohet se mbi gjyqtaren nuk ka asnjë pretendim për konflikt interesi, duke referuar si shkak  përjashtimi marrjen e një vendimi të ndërmjetëm nga ana e gjykatës së apelit, që sipas kërkuesit  afekton edhe zgjidhjen në themel të çështjes.

Në mungesë të një arsye serioze, që do të vinte objektivisht në dyshim paanësinë e gjyqtares relatore, kërkesa për përjashtimin e saj vlerësohet e pabazë”, thuhet në vendim.

Ky vendim i Apelit vjen në një kohë kur çështja e kontrollit të PD-së ka mbetur ende pezull, ndërsa Alibeaj ka trazuar ujërat brenda selisë blu me përjashtimin e katër deputetëve të tjerë nga grupi parlamentar. Grupi i PD-së kërkon të regjistrojë bashkë ndryshimet statutore që janë bërë në kuvendin e 17 korrikut dhe atë të 18 dhjetorit të 2021. Në rast se gjykata do të pranojë ankimin e PD-së për të bashkangjitur dy kërkesat për ndryshimet statutore, atëherë ‘zhbëhet’ Kuvendi i 11 dhjetorit 2021, i Sali Berishës.

Ndryshimet statutore të Kuvendit të Sali Berishës, u regjistruan nga gjyqtari Agron Zhukri i cili më 25 mars i kaloi PD-së Berishës. Gjithashtu në Gjykatë është edhe ankimi i Enkelejd Alibeajt kundër vendimit të Zhukrit për regjistrimin e statutit të Berishës. Për këtë arsye, Gjykata sqaroi më parë se për çdo pasqyrim në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës do të pritet sqarimi i çështjes në apel, që do të japë një vendim i formës së prerë për fatin e Partisë Demokratike.

Pasi u njoh me argumentet e plota të gjyqtarit Agron Zhukri, që më 25 mars i dorëzoi Partinë Demokratike Sali Berishës dhe Komisionit të Rithemelimit, në cilësinë e nënkryetarit të selisë blu, Enkelejd Alibeaj ankimoi vendimin për regjistrimin e statutit logos dhe vulës së re, të miratuara nga grupi i Berishës më 11 dhjetor. Në ankimin, Alibeaj kërkon prishjen e këtij vendimi, duke e rikthyer çështjen për gjykim nga një tjetër trupë gjykuese ose pushimin e saj.