Aktualitet

KESH-i arkëton 2.6 milion euro nga e dyta procedurë shitjeje në pak ditë!

Korporata Elektoenergjetike Shqiptare, KESH zhvilloi procedurën e dytë të shitjes në pak ditë, duke arkëtuar 2.6 milion euro për këtë. Sasia e shitur e energjisë është 13260 MW energji, e ndarë në disa lote të cilët janë shitur me çmime të ndryshme në varësi të fashës orare që përfshijnë.

Konkretisht, fasha më e lirë e tregtuar është ajo me 116 euro/MWh që i takon natës ndërsa çmimi më i lartë i ponderuar është loti 4, i shitur me 246 euro/MWh. Çmimet me të cilat u zhvillua kjo procedurë në raport me bursën janë të përafërta duke reflektuar fashat orare në të cilat është tregtuar energjia.

Për të dyja procedurat, KESH-i ka arkëtuar një total prej 3.3 milion eurosh që sërish mbeten një pikë ujë në oqean, në raport me shpenzimet që i është dashur të bëjë korporata për importe këtë vit, për të siguruar furnizimin. Këto shpenzime deri në datën 20 nëntor arritën 430 milion euro.

Për shkak të prurjeve të shumta si efekt i reshjeve, panorama në Kaskadën e Drinit ndryshoi në pak orë ku nga prodhimi minimal, KESH-i nisi prodhimin me kapacitet të plotë në dy nga tre HEC-e,  por edhe shkarkime në kushtet kur i duhej të respektonte nivelet e parashikuara nga rregullorja.

Përmes prodhimit nga kaskada, aktualisht KESH-i po siguron furnizimin me energji në vend, kjo e kombinuar edhe me energjinë që siguron vetë OSHEE-ja për detyrimet e saj të mbulimit të humbjeve.

Përmirësimi i situatës hidrike në vend pritet të ketë një efekt lehtësimi në kushtet e një krize globale që ka detyruar vendet të marrin masa të shumta, përfshirë Shqipërinë, e cila vendosi zbatimin e fashës 800 kWh me një çmim 42 lekë për çdo kWh të shpenzuar mbi këtë fashë.

Gjithsesi edhe pse u vendos, fasha nuk u zbatua për tetor-nëntor dhe me përmirësimin e kushteve duket se edhe dhjetori do të jetë në një njëjtën linjë. Por, për këtë duhet të shihen hapat që do të ndërmerren nga kompanitë e sektorit./Monitor