Aktualitet

Këshilli i Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, Borrell e Varhelyi në Tiranë!

Sot Tiranën e vizitojnë përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Josep Borrell, njëherazi zëvendëspresident i Komisionit Europian dhe komisioneri europian për Fqinjësinë e Zgjerimin, Oliver Varhelyi.

Në cilësinë e kryediplomatit të Unionit, Borrell do të takohet me kryeministrin Edi Rama, përpara se të kryesojë Këshillin e 12-të të Stabilizim-Asociimit BE-Shqipëri, në Tiranë.

Vendi ynë do të përfaqësohet nga shefi i qeverisë, ndërsa Brukseli zyrtar nga eurokomisioneri Oliver Várhelyi.

Pas Këshillit, kryeministri Rama, përfaqësuesi i Lartë Borrell, si dhe komisioneri Várhelyi, rreth orës 12:00 do të mbajnë një konferencë të përbashkët për shtyp, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS.

Po ashtu, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell do të marrë pjesë në përurimin e Kullës Veneciane në Durrës, restaurimi i së cilës është financuar nga Bashkimi Europian, si dhe do të zhvillojë një bisedë me përfaqësues të rinisë. Pas Shqipërisë, Maqedonia e Veriut përbën ndalesën e tij të radhës.

Po sot, Borrell do të takohet me kryeministrin Dimitar Kovaçevski, përpara se të udhëheqë delegacionin e BE-së në Këshillin e 16-të të Stabilizim-Asociimit BE-Maqedonia e Veriut, ditën e nesërme. Këtë herë, Këshillin e kryeson Shkupi e do të përfaqësohet nga kryeministri maqedonas Kovaçevski, ndërsa Komisioni Europian nga komisioneri, Oliver Várhelyi. Këshilli do të pasohet nga një konferencë e përbashkët për shtyp rreth orës 11:30, e cila do të transmetohet drejtpërdrejt në EBS.

Gjatë vizitës së tij, Përfaqësuesi i Lartë/Zëvendëspresidenti Borrell do të zhvillojë një sërë takimesh dypalëshe, përfshirë me presidentin e vendit fqinj, Stevo Pendarovski, ministren e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska. Në axhendë janë edhe bisedimet me kryetarin, zëvendëskryetarët, koordinatorët e partive politike e kryetarët e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian-Komisioni për Çështjet Europiane i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut.