Bota

Këshilli NATO-Rusi, sërish fokusi te Ukraina!

Siguria është sot në fokus të një takimi me Rusinë, në selinë e NATO-s në Bruksel. Por, nuk ka pritshmëri për progres në bisedimet në kuadër të Këshillit NATO-Rusi, me qëllim uljen e tensioneve në kufirin me Ukrainën. Ato pasojnë raundin e parë të diskutimeve të 10 janarit në Gjenevë mes Uashingtonit e Moskës, që gjithashtu u mbyllën pa marrëveshje.

Në krye të axhendës është prania e mijëra trupave ruse pranë Ukrainës dhe shqetësimet se Rusia mund të jetë duke u përgatitur për një pushtim të ri të territorit ukrainas. Moska ka mbledhur rreth 100 mijë ushtarë e Shtetet e Bashkuara e shohin këtë situatë si mundësi për pushtim nga ana ruse. Prania e tyre konsiderohet si përpjekje për presion ndaj Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve europianë, për të arritur lëshime. Kërkesa e Rusisë është që NATO të mos zgjerohet në lindje e të heqë dorë nga avancimi në Europën Qendrore dhe atë Lindore.

Ndonëse shpresat janë të zbehta, Aleanca po shpreson të përfshijë Moskën në një dialog të vazhdueshëm e të shmangë përshkallëzimin ushtarak. Shefi i Aleancës Veri-Atlantike, Jens Stoltenberg, tha se “rezultati i mirë shënohet nëse do të ketë marrëveshje për takime të tjera”.

Ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, vuri në dukje se “asnjë aleat nuk ka gatishmërinë për të biseduar diçka lidhur me politikën e dyerve të hapura”. Për aleatët, “anëtarësimi në NATO është çështje e shteteve sovrane dhe ato duhet të vendosin vetë”.

Sot mund të diskutohet për reduktim të rrezikut, transparencë, kontrollin e armëve dhe tema të tjera, për të cilat mund të komunikojmë me njëri-tjetrin. Aleanca vazhdon e bashkuar për të luftuar kërcënimet ndaj aleatëve të NATO-s dhe agresionin rus kundër partnerëve tanë në Europë.

Kremlini: Nuk shohim arsye të vërtetë për të qenë optimistë

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se “bisedimet e fundit mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë ishin të hapura e të drejtpërdrejta, por nuk pati përparim në çështjet që Moska i konsideron urgjente”.

Nuk shohim arsye të vërtetë për të qenë optimistë. Në takimet e Këshillit NATO-Rusi, Kremlini përfaqësohet nga zv.ministri i Jashtëm rus, Alexander Grushko, i cili e ka përshkruar takimin si “moment të së vërtetës” në marrëdhëniet mes Rusisë dhe Aleancës Veri-Atlantike.