Aktualitet

Këshillimi Kombëtar: 62,679 qytetarë janë përfshirë deri tani!

Kryeministri Edi Rama, përmes një statusi në rrjete sociale njofton se deri tani 62,679 qytetarë janë përfshirë në Këshillimin Kombëtar. Kreu i qeverisë bën me dije se 55,510 persona i kanë dhënë opinionet e tyre. Ndër të tjera, Rama tregon se 7,178 qytetarë i kanë kthyer me postë pyetësorët e plotësuar. Ndër të tjera ai bën thirrje që të dëgjojmë njëri-tjetrin dhe të dalim nga llogoret politike.

 “62,679 qytetarë janë përfshirë deri tani në Këshillimin Kombëtar 55,501 i kanë dhënë opinionet e tyre përmes platformës www.keshillimikombetar.al  dhe 7,178 kanë kthyer me postë pyetësorët e plotësuar. Ju lutem jepeni mendimin tuaj në pyetësorin #KëshillimiKombëtar përmes postës ose linkut www.keshillimikombetar.al #LeTëDëgjojmëNjëriTjetrin si shqiptarë, si qytetarë, si njerëz të këtij vendi, duke dalë nga llogoret politike për t’u bashkuar në hapësirën e debatit për shtëpinë tonë, Shqipërinë.”- shkruan Rama në rrjete sociale.

Veçse online, formularët e Këshillimit Kombëtar për Shqipërinë u janë dërguar tashmë banorëve të Tiranës në shtëpi. Qytetarët mund t’i plotësojnë dhe më pas me anë të një zarfi mund t’i dërgojnë me postë falas në kryeministri. Po ashtu çdo bashki do të hapen pika të posaçme ku mund të plotësohen formularët.

Nga vaksinimi i detyrueshëm te legalizimi i kanabisit, janë disa nga pyetjet që qytetarët do të japin opinionin e tyre përmes Këshillimit Kombëtar. Pyetësori prej katër faqesh, i mbështetur në 5 shtylla, familja, lufta kundër krimit, ekonomi, punësim e integrimi i vendit, nis me pyetjen nëse duhet bërë diferencim për nënat që rrisin 3 ose më shumë fëmijë të mitur në përfitimin e mbrojtjes së veçantë sociale nga shteti.