Aktualitet

Këshillimi Kombëtar, pyetësorët brenda 22 shkurtit!

Kryeministri Edi Rama tha sot se “shpërndarja e plotë postare e pyetësorëve të Këshillimit Kombëtar parashikohet të realizohet deri më 22 shkurt”, ndërsa përfundimet e këtij procesi do të dalin mes javës së fundit të marsit dhe javës së parë të prillit. Në fjalën e tij në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Kryeministri Rama tha:

Ka pak ditë që ka nisur procesi i shpërndarjes me postë të pyetësorëve të Këshillimit Kombëtar. Pjesëmarrja përmes pyetësorëve online në përmbledhjen ditore të orës 20:00 të ditës së djeshme ka arritur shifrën shumë inkurajuese për kaq pak ditë 23 456 qytetarëve. Ndërkohë do të nisë këto ditë në çdo bashkie dhe vendosja e pikave publike të Këshillimit Kombëtar.

Shpërndarja e plotë postare e pyetësorëve parashikohet të realizohet deri më 22 shkurt me dërgimin në çdo familje të një pyetësori, i cili është menduar të lehtësojë pjesëmarrjen e personave më të moshuar ata mund ta mbushin dhe ta rikthejnë atë me postë pa asnjë shpenzim. Ndërkohë anëtarët e tjerë mund të përdorin lehtësisht rrugën digjitale, siç edhe po ndodh në një proces që është i bazuar tërësisht mbi anonimitetin e pjesëmarrësve për të shmangur çdo lloj abuzimi dhe spekulimi të modës së fundit mbi të dhënat personale.

Zarfat që shkojnë në çdo shtëpi janë pa emër, ndërsa sistemi i mbledhjes në rrugë digjitale të tyre nuk kërkon identifikim te pjesëmarrësve. Kryeministri Rama sqaroi se në sistem ka algoritime që identifikojnë dhe skualifikojnë mbushjen në mënyrë abuzive të formularëve me të njëjtën pjesëmarrje.

Ruajtja 100% e anonimitetit të çdo pjesëmarrësi në këtë praktikë të re demokratike të bashkëqeverisjes përtej partive politike ka qenë për këtë herë prioriteti numër një më tutje kjo eksperiencë e parë do të na mësojë si të veprojmë në herët në vijim.

Hapja e këtij procesi kaq të gjerë mbi çështje të cilat ne na mjaftojnë kartonat në Kuvend apo kompetencat vendimmarrëse të qeverisë ka një domethënie përveçse të qartë edhe të madhe sepse ky proces kërkon të dëshmojë vetëdijen tonë demokratike se për vendimet e hedhura për këshillim nuk mjafton bindja jonë as mandati ynë krejt legjitim për të marrë mendime, por duhet dhe opinioni i publikut të gjerë. Këtu vjen edhe ana tjetër e medaljes së këtij procesi popullor zgjerimi i harkut të dëgjimit tonë matanë llogores partiake, përtej kampit tonë politik duke marrë edhe opinionin e atyre që nuk janë votuesit tanë.