Aktualitet

Këshillimi Kombëtar, Rama: “Legalizojmë kultivimin e kanabisit mjekësor!”

Shqipëria do të legalizojë kanabisin për qëllime mjekësore. Kjo u theksua sot nga kryeministri Edi Rama, pasi në Formularin e Këshillimit Kombëtar, 61% e qytetarëve janë shprehur në favor. Në prezantimin e përgjigjeve të këtij formulari, Rama tha se kjo do të ndikojë në rritjen ekonomike të vendit dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Ne do të legalizojmë kanabisin për përdorim jetësor dhe do të hapim një front të ri pune. Çfarë qytetarët kanë thënë do të bëhet, nuk diskutohet!

Në formularin e Këshillimit, qytetarët u pyetën:

Ka njerëz që thonë se Shqipëria duhet të lejojë kultivimin, përpunimin dhe eksportimin e kontrolluar nga shteti të kanabisit për qëllime mjekësore, pa legalizuar për arsye të përdorimit vetjak. Të tjerë thonë që kanabisi nuk duhet të lejohet as për qëllime mjekësore, ju si mendoni?

Kësaj pyetjeje, 308.992 iu përgjigjën pozitivisht, 148.092 u shprehën kundër dhe 51.051 gjanë përgjigjen: nuk e di! E përkthyer në përqindje, 61% janë pro, 29% kundër dhe 10% nuk e dinë.

Në një konferencë për shtyp për të prezantuar rezultatet e Këshillimit Kombëtar bashkë me drejtoren e Agjencisë për Dialog dhe Bashkëqeverisje, Eridana Cano, Rama theksoi se “ky proces ka qenë i jashtëzakonshëm për nga volumi i punës dhe intensiteti i komunikimit me qytetarët”.

Me rëndësi është që edhe gjatë kësaj interference të luftës në Ukrainë që ka spostuar natyrshëm fokusin dhe vëmendjen, vazhduam të kemi shumë pjesëmarrje dhe Këshillimin Kombëtar e mbyllëm me një shifër përtej parashikimeve tona, me mbi gjysmë milion qytetarë.

Mes temave të tjera, 59% e qytetarëve dhanë mbështetje për nismën e Ballkanit të Hapur.

59% është një përkrahje shumë e fortë, pavarësisht se për të tjerat ka mbështetje më të forta. Procesi ka ndodhur me atë interferencë që thashë dhe sigurisht, lufta që nisi Rusia ndaj Ukrainës pati impakt psikologjik, edhe për shkak se u bë një zhurmë e madhe në lidhjen mes luftës dhe pozicionit të Serbisë. Unë s’kam pritur luftën për të marrë vesh se çfarë është politika e jashtme e Serbisë. E dyta, nuk ka qenë vendimmarrja ime dhe as e kësaj qeverie, që në Ballkan të gjendet Serbia. Atë e kemi aty, është një fqinje që do të jetë gjithmonë aty! Marrëdhëniet e fqinjësisë me Serbinë janë të rëndësishme edhe për faktin e ndryshimit mes nesh dhe tyre në këtë aspekt.

Ballkani i Hapur mbron interesat tona. Kur flasim për paqe, paqja bëhet me ata që kemi pasur probleme ose me ata që ke problem, por me ata që s’ke, paqja është gati! Ballkani i Hapur është interes i rëndësishëm i shqiptarëve. Nuk dua t’i jap këshilla udhëheqësve në Kosovë.

Nga opozita reagoi Flamur Noka:

Anketa është një falsitet i realizuar në organizatat bazë të Partisë Socialiste e në celulat e krimit të organizuar e të bandave të drogës në Shqipëri. Nuk është një anketë e popullit shqiptar. Kjo që po bën sot është thjesht legalizim i krimit të organizuar, i pazareve të drogës, i bandave të drogës. Të legalizosh kanabisin duhet të kesh shtet ligjor të konsoliduar.