Pjesëtarë të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR hoqën një pjesë të telave me gjemba që vendosën për të rritur sigurinë. Ato u vunë një ditë pas përleshjes mes serbëve lokalë dhe pjesëtarëve të KFOR-it, fillimjavën e kaluar. NATO dhe zyrtarë vendas e të huaj i dënuan sulmet. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bisedoi për situatën në veri me ambasadorët e Francës e të Gjermanisë në Prishtinë. Në fokus, ulja e tensioneve. Në njoftimin zyrtar të qeverisë, thuhet:
Palët kanë biseduar lidhur me rëndësinë e uljes së tensioneve në veri, si dhe për punën e Policisë së Kosovës e të pjesëtarëve të KFOR-it, në garantimin e sigurisë në Zveçan, Leposaviç e në Zubin Potok.
Vendosja e plotë e sundimit të ligjit në të katër komunat në veri të Kosovës është e domosdoshme, si për largimin e elementëve kriminalë, ashtu edhe për një fushatë të hapur e “fair”, para zgjedhjeve të lira e demokratike në të ardhmen.
Prej datës 26 maj, serbët protestojnë për të mos lejuar hyrjen në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë në Zveçan, Zubin Potok e në Leposaviç. Në Zveçan pati një moment tensioni kur disa protestues nuk lejuan kalimin e një makine të Policisë së Kosovës që po shkonte drejt forcave të KFOR-it, duke e bllokuar.
Protestave të serbëve në Zveçan, ndonëse në numër më të vogël se ditët e kaluara i janë bashkuar edhe nxënës të shkollave, të ftuar për të bërë dhe performanca, por nuk dihet diçka konkrete.
Në Leposaviç bie në sy vendosja e një tryeze, ku pjesëmarrësit duhet të hedhin firmën, çka tregon se morën pjesë në protestë.
Nëse në veri të Kosovës, sërish mbahen zgjedhje, Lista Serbe kushtëzon pjesëmarrjen me dy kërkesa: forcat speciale të policisë të tërhiqen nga veriu e të formohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe. Për tensionet në veri, Lista Serbe thotë se çelësi për uljen e tyre është të mos ketë forca speciale e që kryetarët që i konsideron “të paligjshëm”, të mos shkojnë në ndërtesat komunale.
Lista Serbe përmend dhe nevojën për lirimin e dy serbëve të paraburgosur nga autoritetet e Kosovës, pas përleshjeve në Zveçan. Ata dyshohen për “Veprimtari antikushtetuese, me qëllim sulmin kundër rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, “Rrezikim të personave në mbrojtje ndërkombëtare” e “Sulm ndaj zyrtarëve”.