Bota

Kievi kundër referendumeve ruse, thirrje Perëndimit për më shumë ndihma ushtarake!

Kievi thotë se “votimet e orkestruara nga Moska në katër rajone ukrainase pjesërisht të pushtuara nga Rusia, janë të pavlera” dhe i bën thirrje Perëndimit, të rrisë “ndjeshëm” ndihmën ushtarake për Ukrainën.

Ukraina kurrë nuk do të pajtohet me asnjë ultimatum. Ukraina u bën thirrje BE-së, NATO-s dhe G7-ës që menjëherë të rrisin në mënyrë të ndjeshme presionin ndaj Rusisë, përfshirë vendosjen e sanksioneve më të ashpra e rritjen e ndjeshme të ndihmës së tyre ushtarake për Ukrainën.

Zyrtarët pro-rusë njoftuan se rezultatet e referendumeve, “mbështetën bashkimin me Rusinë”. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara e Shqipëria po planifikojnë të paraqesin një rezolutë në Kombet e Bashkuara, për të dënuar të ashtuquajturat referendume. Gjithashtu, Uashingtoni po përgatit një raund të ri sanksionesh kundër Rusisë, nëse anekson territorin ukrainas, si edhe një paketë të re të armëve për Ukrainën, në vlerë 1.1 miliard dollarë.

Votimet e organizuara me nxitim, u mbajtën për pesë ditë në rajonet lindore të Donjeckut e Luhanskut dhe në Zaporizhja e Herson, në jug. Këto katër rajone përbëjnë rreth 15 për qind të territorit ukrainas. Moska pretendon pjesëmarrje të lartë, që varion nga 87 deri në 99.2%, në favor të bashkimit me Rusinë. Dhoma e Lartë e Parlamentit rus, mund ta shqyrtojë aneksimin më 4 tetor.

Në territoret e pushtuara, zyrtarët pro-rusë mblodhën votat shtëpi më shtëpi. Kievi dhe Perëndimi thanë se “kjo ishte e paligjshme” dhe “metodë e frikësimit të votuesve, që të krijohet pretekst ligjor për Rusinë, që të aneksojë katër rajonet ukrainase”. Presidenti Zelensky:

Kjo farsë në territoret e pushtuara nuk mund të quhet as imitim i një referendumi.

BE-ja dhe NATO dënojnë referendumet, si “të rreme” e “shkelje e ligjit ndërkombëtar”. Amerika do të prezantojë një rezolutë në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, që t’u bëjë thirrje shteteve anëtare të mos pranojnë asnjë ndryshim për Ukrainën e ta detyrojë Rusinë të tërheqë trupat.

Rusia ka fuqinë që të vendosë veto ndaj rezolutës në Këshillin e Sigurimit, por Thomas-Greenfield deklaroi se nëse kjo ndodh, SHBA-të do ta dërgojnë çështjen para Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ambasadori rus në OKB, Vassily Nebenzia, mbrojti referendumet, si të mbajtura në mënyrë transparente e në bazë të normave zgjedhore. Ky proces do të vazhdojë nëse Kievi nuk i pranon gabimet e tij strategjike dhe nuk fillon të udhëhiqet nga interesat e popullit të vet.