Bota

Kievi: “Nis ofensiva ruse në Donbas!”

Ushtria ukrainase thotë se po përgatitet për betejën finale në qytetin e rrethuar nga rusët të Mariupolit, në rajonin Donjeck ku sipas presidentit Zelensky kanë humbur jetën mijëra persona. Në një fjalim video për Parlamentin e Koresë së Jugut, Zelensky tha se “aktualisht, gjendja më e keqe paraqitet aty për shkak se qyteti është bllokuar nga rusët që nga 1 marsi”.

Mariupoli është shkatërruar. Janë me qindra mijëra viktima e megjithatë, rusët nuk e ndalin ofensivën.

Shërbimet e Inteligjencës britanike nuk përjashtojnë mundësinë e përdorimit të armëve me fosfor të Rusisë në Mariupol, në momentin kur beteja për qytetin të intensifikohet.

Bombardimet ruse vazhduan në rajonet Donjeck e Lugansk, ndërsa forcat ukrainase iu kundërpërgjigjën sulmeve.

24 orët e fundit, rajoni Kharkiv në lindje të Ukrainës është bombarduar nga rusët 66 herë dhe 11 persona humbën jetën, mes tyre një fëmijë 7-vjeç ndërsa një 14-vjeçar mbeti i plagosur. Lajmin e dha guvernatori i rajonit, Oleh Synehubov, sipas “Kyiv Independent”.

Ndërkohë, Kievi konfirmon se në rajonin lindor Donbas ka nisur ofensiva finale e Rusisë. Për CNN-in, Vadym Denysenko, këshilltar i ministrit të Brendshëm të Ukrainës, deklaroi:

Rusët po grumbullojnë forcat e tyre. Ende nuk janë betejat e mëdha për të cilat është folur shpesh në ditët e fundit, por në përgjithësi mund të themi se ofensiva ka nisur.

Kremlini përsërit qëndrimet kundër zgjerimit të NATO-s. Lidhur me planet e Suedisë e të Finlandës për t’iu bashkuar Aleancës Veri-Atlantike, zëdhënësi Dmitry Peskov tha:

Një zgjerim i mëtejshëm i NATO-s nuk i kontribuon sigurisë në kontinentin europian!

Agjencia “Bloomberg” shkruan se “hekurudhat shtetërore ruse shpallën falimentin pasi muajin e kaluar dështuan të paguanin interesat në franga zvicerane për një projekt me ndikim pozitiv në mjedis. Pagesa duhej bërë brenda 14 marsit, me një shtyrje prej maksimumi 10 ditësh.

Për BE-në, sanksionet e mëtejshme kundër Rusisë mbeten opsion. “Sanksionet janë gjithmonë në tryezë”, – deklaroi kryediplomati i Unionit, Josep Borrell në Luksemburg, në prag të një takimi të ministrave të Jashtëm të BE-së. Me një prokuror të Hagës, ata do të diskutojnë mbi krimet e dyshuara të luftës, të kryera nga Rusia në Ukrainë. Në fokus, edhe hapat e tjerë kundër Moskës.