Bota

Kievi pretendon se mbi 130 mijë ushtarë rusë janë vrarë gjatë luftës në Ukrainë!

Ushtria ukrainase vlerëson se më shumë se 131 mijë pjesëtarë të ushtrisë ruse mund të kenë vdekur në Ukrainë, prej nisjes së luftës më 24 shkurt të vitit të kaluar. Në përditësimin e rregullt, Shtabi i Përgjithshëm pretendon se 700 ushtarë të Rusisë u vranë vetëm një ditë më parë. Në këto përditësime, në të cilat shifrat për viktimat janë më të larta se ato që përpilon Perëndimi, thuhet edhe se Rusia ka humbur 3.220 tanke, 6.405 pajisje të armatosura e 2.226 sisteme të artilerisë që prej fillimit të agresionit.

Duke cituar zyrtarë amerikanë e të Perëndimit, e përditshmja amerikane New York Times, më herët gjatë këtij muaji, raportonte se numri i ushtarëve rusë të vrarë e të plagosur është duke iu afruar shifrës 200 mijë. Për luftime të ashpra u njoftua edhe sot në Bahmut, qytet në lindje të Ukrainës, për kontrollin e të cilit ushtritë janë duke luftuar prej disa muajsh. Dy ditë më parë, presidenti Volodymyr Zelensky vuri në dukje se “forcat ukrainase do të luftojnë për Bahmutin aq sa të munden”.

Javën e kaluar, Ministria britanike e Mbrojtjes në Londër u shpreh se “Rusia ka bërë avancime të vogla në përpjekjet për të rrethuar Bahmutin”. Pas presionit në rritje nga të gjitha anët, kohët e fundit, qeveria gjermane ra dakord që të miratonte vendimin lidhur me dërgimin e tankeve modernë Leopard 2 në Ukrainë. Kjo u koordinua me kujdes me aleatët perëndimorë, në mënyrë të tillë që të shmangen përshkallëzimet e mëtejshme sa i përket konfliktit. Rusia ka numër më të lartë të tankeve se Ukraina, por shumica konsiderohen të vjetëruar.

Luftën e nisur më 24 shkurt të vitit të kaluar, presidenti rus, Vladimir Putin, e quan “operacion special ushtarak”. Perëndimi u përgjigj ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë humbur jetën mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.