Bota

Kievi: Prokuroria po heton 41 ushtarë rusë për krime lufte

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës po heton 41 raste të ushtarëve rusë, të akuzuar për krime lufte. Këtë e bëri të ditur prokurorja e përgjithshme, Iryna Venediktova, gjatë një konference për televizionin ukrainas.

“Ne kemi 41 incidente të dyshuara për të cilat do të jemi gati të shkojmë në gjykatë. Të gjitha kanë të bëjnë me nenin 438 të kodit penal të Ukrainës lidhur me krimet e luftës, por për lloje të ndryshme të krimeve të luftës. Ka bombardime të infrastrukturës civile, vrasje të civilë, përdhunime dhe plaçkitje”, tha Venediktova.

Aktualisht është e paqartë se sa nga të dyshuarit do të gjykohen në mungesë.

Po sot, Presidenti Volodymyr Zelensky vlerësoi se Ukraina rimori së fundmi gjashtë vendbanime. Janë 1015 gjithsej që nga fillimi i konfliktit në shkurt. “Ne rivendosim energjinë elektrike, furnizimin me ujë, komunikimet, transportin, shërbimet sociale”, tha Zelensky duke shtuar se nuk do t’i lërë asgjë armikut.