Bota

Kina apel SHBA-ve e Japonisë: Mos krijoni armiq imagjinarë!

Pekini zyrtar paralajmëroi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Japoninë që “të mos krijojnë armiq imagjinarë”. Kjo pasi dy shtetet kanë kritikuar veprimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore, në bisedimet e mbajtura në Tokio gjatë fundjavës.

Ne iu bëjmë thirrje Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë që të mos ndërhyjnë në punët e brendshme të Kinës e të mos krijojnë armiq imagjinarë, deklaroi zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës, Lin Jian.

Pas bisedimeve të zhvilluara dje në kryeqytetin japonez, SHBA-të e të tjera vende kanë kritikuar “veprimet destabilizuese” të Pekinit në Detin e Kinës Jugore, si dhe kanë dënuar rritjen e bashkëpunimit të Rusisë me Kinën e Korenë e Veriut.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, si dhe homologët japonezë kanë ripërsëritur “kundërshtimet ndaj pretendimeve të paligjshme të Kinës në det, dhe veprimet provokuese e kërcënuese në Detin e Kinës Jugore, u tha në deklaratën e përbashkët.

Autoritetet kineze theksuan sot se “në deklaratën e përbashkët është përzier e mira me të keqen dhe sulmohet politika e Jashtme kineze”. Lin shtoi:

Kina hedh poshtë të gjitha pretendimet e bëra në deklaratë.

Në një tjetër zhvillim, Giorgia Meloni u zotua se do të “rinisë” bashkëpunimin me Kinën, pasi firmosi një plan veprimi 3-vjeçar në të parën vizitë zyrtare në Pekin që kur ka marrë postin e kryeministres së Italisë. Meloni, e cila drejton qeverinë e krahut të djathtë që nga viti 2022, e bëri këtë njoftim gjatë takimit me homologun kinez, Li Qiang.

Roma po synon të përmirësojë raportet tregtare me Pekinin pasi u largua nga Nisma kineze “Brezi dhe Rruga”, vitin e kaluar. Kjo nismë, që ka në thelb investimet në infrastrukturë është projekti kryesor i presidentit Xi Jinping.

Vizita 5-ditore demonstron vullnetin për të nisur një fazë të re, për të rinisur bashkëpunimin tonë dypalësh. Plani i veprimit që u nënshkrua synon që të gjenden forma të reja të bashkëpunimit. Memorandumi përfshin sektorët strategjikë të industrisë, si qarkullimi elektrik dhe burimet e ripërtërishme.

Meloni, e cila i sheh investimet kineze si mënyrë për të nxitur rritjen ekonomike të Italisë, gjatë vizitës do të takohet edhe me Xi-në e ligjvënësin më të lartë në Kinë, Zhao Leji, i treti në hierarikën e udhëheqjes.