Aktualitet

Kina ashpërson masat, prindërit e pavaksinuar nuk mund t’i dërgojnë fëmijët në shkollë!

Nxënësve nuk do t’iu lejohet të kthehen në shkollë në shtator, nëse e tërë familja nuk është vaksinuar kundër koronavirusit, në Kinë.

Në disa qytete njerëzve u është thënë se duhet të jenë të vaksinuar për të hyrë nëpër spitale dhe dyqane.

Kina u është bashkuar Francës dhe Greqisë, të cilat i kanë bërë vaksinimet të detyrueshme në disa sektorë.

Qeveria tha  se synon të vaksinojë 64 për qind të popullsisë, deri në fund të vitit.

“Ata që ende nuk janë vaksinuar duhet të nxitojnë dhe të marrin vaksinën nëse dëshirojnë që fëmijët të kthehen në shkollë”, është thënë në provincën Guangksi më herët gjatë kësaj jave, duke shtuar se vendimi vlen për nxënësit e të gjitha moshave.

Qeveritë lokale dhe provinca tjera, përfshirë Jiangxi dhe Henan, kanë marrë vendime të ngjashme, duke thënë se vetëm nxënësit, familjarët e të cilëve janë vaksinuar, mund të marrin pjesë në semestrin e radhës.

Megjithatë rregullat dallojnë nga rajoni në rajon.

Në provincën Hebei, nxënësve të moshave 12-17 vjeç, u është kërkuar të kenë familjarët të vaksinuar, por nuk është bërë e ditur nëse masa vlen edhe për moshat e tjera.

Autoritetet më të larta shëndetësore në Kinë, kanë thënë se ndonëse vaksinimi do të inkurajohet, vendimi për t’u imunizuar do të jetë individual.