Bota

Kina dhe Rusia me kritika të ashpra për Perëndimin!

Samitin e këtij viti të BRICS-it, Kina dhe Rusia e përdorën për të kritikuar ashpër Perëndimin. Në fjalën e hapjes në samitin virtual, presidenti kinez Xi Jinping, deklaroi:

Vendet e BRICS-it duhet të marrin më shumë përgjegjësi e të punojnë për barazi e drejtësi në botë, si dhe t’i kundërvihen sanksioneve të njëanshme.

Pjesë e BRICS-it janë edhe Brazili, India e Afrika e Jugut, krahas Rusisë e Kinës, ndërsa emërtimi bëhet sipas shkronjave të para të emrave të pesë shteteve anëtare. Grupi mblidhet një herë në vit që nga 2009-a e kësaj here, për shkak të masave të rrepta kundër koronavirusit në Kinë, nga Pekini zyrtar që është dhe mikpritësi i radhës u mendua të organizohet në formën e video-konferencës.

Putini fajëson Perëndimin për krizën ekonomike

Presidenti rus, Vladimir Putin, fajëson Perëndimin për krizën ekonomike globale.

Vetëm në bazë të një bashkëpunimi të ndershëm e reciprokisht të dobishëm mund të gjejmë një rrugëdalje nga kriza, në të cilën ka rënë ekonomia botërore për shkak të veprimeve egoiste dhe të pamenduara të disa vendeve. Duke përdorur mekanizmat financiarë, gabimet e tyre në makroekonomi, po i përcjellin në të gjithë botën.

Shefi i Kremlinit tha se “në këtë kontekst, grupit BRICS i takon një rol i veçantë” dhe “ai duhet të marrë drejtimin për krijimin e një bote shumëpolare, në të cilën marrëdhëniet mes shteteve, të bazohen në të drejtën ndërkombëtare”.

Kina njoftoi se po përpiqet ta zgjerojë formatin BRICS, duke përfshirë shtete të tjera, ndaj pas mbledhjes së liderëve të BRICS-it do të organizohet edhe një tjetër takim online, ku janë ftuar një sërë vendesh në zhvillim.

BRICS – Jo kritika ndaj Rusisë

Ndryshe nga vendet e Grupit G7, të cilët takohen të dielën në Elmau të Bavarisë për samitin e këtij viti që organizohet nën kryesimin e Gjermanisë, shtetet anëtare të BRICS-it, deri tani i kanë shmangur kritikat kundrejt Moskës, si dhe dënojnë vazhdimisht sanksionet që Perëndimi i vendos Rusisë.

Për shembull, India po mban një qëndrim neutral ndaj konfliktit, sepse vendi ka lidhje të gjata e të ngushta me Rusinë dhe shumica e pajisjeve të saj ushtarake vijnë nga shteti rus.

Ndërkohë, ashtu si edhe Kina, kohët e fundit, India ka rritur ndjeshëm importet e naftës nga Rusia.

Gjithashtu, Brazili është shprehur kundër sanksioneve, për shkak të ndikimit negativ për tregtinë dhe ekonominë.

Udhëheqësit e dy prej vendeve të BRICS-it marrin pjesë si të ftuar edhe në samitin e G7-ës në Elmau: kryeministri indian, Narendra Modi dhe presidenti afrikano jugor, Cyril Ramaphosa.