Bota

Kina kundër NATO-s: Aleanca të tilla mund të nxisin konflikt në Azi-Paqësor!

Kina haptazi kundër NATO-s. Këtë të diel, ministri kinez i Mbrojtjes, Li Shangfu paralajmëroi kundër krijimit të aleancave ushtarake të ngjashme me NATO-n në rajonin e Azi-Paqësorit, duke thënë se diçka e tillë mund ta përballë zonën me një “vorbull” konflikti.

Komentet e zyrtarit të Pekinit vijnë një ditë pasi anijet e ushtrisë amerikane dhe asaj kineze lundruan shumë pranë njëra-tjetrës, në afërsi të Ngushticës së Tajvanit. Ky incident ka provokuar zemërim te të dyja palët. Në një konferencë kushtuar çështjeve të sigurisë e që po mban punimet në Singapor, Li deklaroi:

Përpjekjet për të krijuar aleanca të ngjashme me NATO-n në Azi-Paqësor, janë një mënyrë për të marrë peng shtetet rajonale, si dhe për të nxitur konflikte e përballje.

Në këtë konferencë po merr pjesë edhe Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin, i cili para takimit kërkoi bisedime me homologun Shangfu, por pala kineze refuzoi. Komentet e ministrit Li, vënë edhe më shumë në pah mllefin e Kinës lidhur me përpjekjet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës që të krijojnë aleanca në atë rajon, për të kundërshtuar rritjen e ndikimit të Pekinit.

Shtetet e Bashkuara janë pjesë e paktit AUKUS, në të cilin bëjnë pjesë edhe Australia e Britania e Madhe. Po ashtu, Amerika është anëtare e grupit QUAD, ku pjesëmarrës janë Australia, India e Japonia. Li theksoi:

Sot, Azi-Paqësori ka nevojë për bashkëpunim të hapur e gjithëpërfshirës, jo për krijimin e grupeve të vogla.

Në konferencën e Singaporit, përfaqësuesi i Pekinit tentoi që t’i paraqesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës si nxitës të mungesës së qëndrueshmërisë në rajon, ndërsa Kinën, si vend që është në kërkim të uljes së tensioneve. Ndër të tjera, deklaroi:

Nuk mund të mohohet se në rast të ndonjë konflikti apo përballjeje mes Kinës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhimbja për botën nuk do të ishte e durueshme.