Bota

Kina kundër një Lufte të Tretë Botërore!

Kina deklaroi sot se askush nuk dëshiron që konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës të kthehet në një Luftë të Tretë Botërore. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze, Wang Wenbin foli për gazetarët dhe deklaroi:

Askush nuk dëshiron të shohë shpërthimin e një Lufte të Tretë Botërore!

Komentet i bëri ndërsa u pyet nga mediat në lidhje me deklaratat e ministrit të Jashtëm rus, Sergey Lavrov mbi “një kërcënim real të Luftës së Tretë Botërore”.

Shpresojmë që palët përkatëse të mund të qëndrojnë gjakftohta dhe të ushtrojnë vetëpërmbajtje, të parandalojnë përshkallëzimin e tensioneve, të arrijnë paqen sa më shpejtë të jetë e mundur dhe të shmangin shkaktimin e një çmimi më të rëndë në Europë e në botë. Në rrethanat aktuale, të gjitha palët, para së gjithash, duhet të mbështesin dialogun dhe negociatat për të parandaluar zgjerimin dhe zgjatjen e konflikteve.

Në të njëjtën kohë, duhet të reflektojmë se përse Europa është kapur sërish në konfliktin gjeopolitik më shumë se 30 vjet pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, se si të ndërtohet një arkitekturë e sigurisë europiane e balancuar, efektive dhe e qëndrueshme dhe si të forcohet sistemi global i qeverisjes së sigurisë.

Kina njihet si aleate e Rusisë, vend që po përballet me sanksione në rritje nga Perëndimi, për shkak të agresionit në Ukrainë e që vijon prej më shumë se 60 ditësh. Sipas vlerësimeve të OKB-së, të paktën 2 mijë e 729 civilë kanë humbur jetën dhe 3 mijë e 111 janë plagosur në Ukrainë që kur Rusia nisi luftën kundër fqinjit të saj më 24 shkurt. Por, besohet se shifrat aktuale mund të jenë shumë më të larta.

“Australia po ofron mbështetje shtesë ushtarake për Ukrainën, me municione”. Këtë e bënë të ditur kryeministri, Scott Morrison dhe ministri i Mbrojtjes, Peter Dutton, në një deklaratë. Paketa e re e ndihmës ushtarake kap vlerën 26.7 milion dollarë ndërsa kontributi i përgjithshëm i ndihmës ushtarake australiane për Ukrainën është 225 milion deri tani.