Bota

Kina kundër presidentit Biden për deklaratat rreth Tajvanit!

Zyrtarët kinezë thanë se janë “shumë të pakënaqur” dhe “kundërshtojnë fuqishëm” qëndrimin e presidentit amerikan, Joe Biden, që duket se ndryshon nga politika e gjatë e Uashingtonit mbi Tajvanin. Biden paralajmëroi kundër një “sulmi të paprecedentë” të Kinës ndaj Tajvanit, ishullit autonom demokratik.

I pyetur gjatë një interviste për CBS, nëse forcat amerikane do ta mbronin Tajvanin në rast të një pushtimi kinez, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha: “Po, në rast se ka një sulm të paprecedentë”. Presidentit amerikan iu kërkua të sqaronte nëse kjo nënkupton që ushtarët amerikanë do të merrnin pjesë në mbrojtjen e Tajvanit dhe ai u përgjigj: “Po”.

Ministria e Jashtme kineze, tha sot se deklaratat e Bidenit dërgojnë “sinjal të gabuar” për forcat separatiste që kërkojnë që Tajvani të fitojë pavarësinë.

Pekini ruan të drejtën që të ndërmarrë çdo masë të nevojshme për të luftuar separatizmin. Kina është jashtëzakonisht e pakënaqur e kundërshton fuqishëm deklaratat. Dërguam një notë proteste.

Gjatë intervistës për CBS, Biden shtoi:

Ne nuk po lëvizim, ne nuk po inkurajojmë ata që të shpallin pavarësinë. Ky është vendim që u përket atyre.

Zyrtarët në Taipei mirëpritën deklaratat e presidentit Biden dhe Ministria e Mbrojtjes së Tajvanit raportoi se ka detektuar disa avionë luftarakë kinezë e anije përreth ishullit.

Dy avionë kinezë kaluan vijën që jozyrtarisht ndan dy anët e Ngushticës së Tajvanit. Gjatë javëve dhe muajve të fundit, Tajvani ka raportuar për dhjetëra raste të kalimit të kësaj vije nga avionët kinezë. Kina pretendon se Tajvani është “provincë e saj” dhe disa herë ka thënë se mund të përdorë forcën për të marrë kontrollin e ishullit.

Uashingtoni zyrtar për një kohë të gjatë ka mbajtur një pozicion “të paqartësisë strategjike” sa i përket mbrojtjes së Tajvanit dhe deklaratat e fundit të presidentit amerikan Joe Biden duket se shkojnë përtej kësaj politike.