Bota

Kina njofton: “Roveri Zhurong arrin në Mars!”

Për herë të parë, Kina ul me sukses një anije kozmike në Mars. Siç njoftoi Agjencia Kineze e Hapësirës, moduli i sondës Tianwen-1 u ul sot në sipërfaqen e Planetit të Kuq me roverin “Zhurong” në bord. Tianwen-1 u ngrit nga Toka më 23 korrik dhe arriti orbitën e planetit në shkurt.

Fluturimi ishte ndër më të vështirët që Kina ka ndërmarrë ndonjëherë. Ulja përbënte sfidë të madhe pasi Marsi ka atmosferën e vet, ndryshe nga Hëna. Një parashutë dhe shtytës të frenave ndihmuan në ngadalësimin e sondës kineze.

Fillimisht, mjeti lëvizte rreth 100 metra mbi sipërfaqen e Marsit për të identifikuar pengesat përpara se të gjente një vend të përshtatshëm uljeje.

Sonda Tianwen-1 e bën Kinën vendin e tretë në botë që realizon një sipërmarrje të tillë, pas Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara. Suksesi i misionit pason atë që ndodhi me raketën kineze e cila përfundoi në Oqeanin Indian të dielën e kaluar, por që më parë e mbajti botën me frymën pezull për vendin ku do të përfundonte.

Presidenti kinez Xi Jinping përgëzoi ata që punuan për të mundësuar misionin për eksplorimin e Marsit.