Bota

Kina po shtyp protestat kundër masave anti-COVID, por protestuesit sfidojnë autoritetet!

Disa persona u përleshën me policinë në qytetin kinez Guangzhou, për të kundërshtuar politikat strikte të shtetit në menaxhimin e pandemisë koronavirus. Ndërkohë, përplasjet ndodhën edhe pse zyrtarët lokalë u zotuan për lehtësimin e kufizimeve të pandemisë në disa distrikte. Ditët e fundit, Kina ka regjistruar shifra rekord të numrit të të infektuarve. Protestat e rinisura mbrëmë vonë, vazhduan deri në mëngjes.

Trazirat pasojnë një valë protestash në Kinë, të nxitura nga zjarri që shkaktoi 10 viktima në një ndërtesë në rajonin perëndimor, Ksinjiang. Protestuesit thanë se nëse nuk do të kishte masa kaq të forta kundër koronavirusit, reagimi do të mund të vinte në kohë. Për shkak të masave kufizuese, ata që humbën jetën nuk mundën të dilnin jashtë.  Kjo ngjarje tragjike shtyu banorët e Pekinit e të Shangait, bashkë me të qyteteve të tjera të mëdha që të dalin në rrugë, duke kërkuar dhënien fund të politikave për koronavirusin. Disa kërkuan edhe dorëheqjen e presidentit kinez, Xi Jinping.

Protestat u ndaluan pak ditë pas nisjes dhe u vendos prani madhe policore. Agjencia Shtetërore e Sigurisë bëri thirrje për shtypje të “forcave armiqësore”. Po ashtu, pati raportime se policia po kontakton protestuesit duke i pyetur ku ishin. Kina mbetet e vetmja ekonomi e madhe në botë që zbaton politikën e zero rasteve me koronavirus. Autoritetet vendosin masa të ashpra kufizimi e karantinë edhe në rastet kur ka shpërthime të vogla.

Ndonëse vendi aziatik ka zhvilluar vaksinat e veta kundër koronavirusit, ato nuk janë efektive si ato me teknologjinë mRNA, Pfizer e Moderna. Një tjetër sfidë lidhet me faktin se nuk është imunizuar një përqindje e madhe e banorëve. Vlerësohet që shumë pak të moshuar, më të rrezikuar nga koronavirusi të kenë marrë dozat e nevojshme. Në Kinë ka shumë pak “imunitet natyral” të njerëzve që janë infektuar dhe e kanë kaluar virusin. Kjo nënkupton se variantet e reja mund të shpërndahen shumë më shpejt se kryesori i tre viteve më parë.