Bota

Kina shtyp protestat kundër kufizimeve të masave anti-COVID/Kontrolle edhe telefonave!

Në Kinë, duket se janë shtypur si pasojë e përgjigjes së autoriteteve, protestat e pazakonta kombëtare kundër masave kufizuese për t’u mbrojtur nga koronavirusi. Për ditën e sotme u raportua për një prani të madhe policore në disa qytete kineze e për pasojë, disa tubime dështuan. Po ashtu, pati zëra se shumë njerëz janë marrë në pyetje dhe u janë kontrolluar telefonat.

Por, kinezët kanë vazhduar protestat në të tjera vende të botës. Të shumtë ishin ata që u mblodhën para ambasadave të Pekinit në Londër, Paris e Tokio, si edhe para universiteteve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Europë. Kujtojmë se manifestimet nisën javën e kaluar, në shenjë pakënaqësie pas zjarrit që shpërtheu në qytetin Urumçi në perëndim të Kinës, duke shkaktuar vdekjen e 10 personave.

Protestuesit thanë se pasojat nuk do të ishin kaq tragjike nëse njerëzit do të arrinin të largoheshin në kohë, por se kufizimet anti-COVID e bënë të pamundur një gjë të tillë.

Në anën tjetër, zyrtarët kinezë e hedhin poshtë këtë pretendim. Përveç dhënies fund të kufizimeve për pandeminë, në protesta janë hedhur edhe thirrjet e rralla që lideri i shtetit aziatik, Xi Jinping të japë dorëheqje. Siç dihet, Kina zbaton politikën e zero rasteve me koronavirus, që përfshin karantina të gjata dhe testime të shpeshta. Në fakt është ndër vendet e fundit në botë që praktikon masa të tilla për menaxhimin e pasojave të virusit.

Për koronavirusin e ri që shkaktoi sëmundjen COVID-19 u raportua për herë të parë në dhjetor të vitit 2019, në Uhan të Kinës. Disa muaj më pas, më 11 mars të vitit 2020, Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH e shpalli pandemi. Në nivel global, më shumë se 6.5 milion njerëz kanë humbur jetën prej shpërthimit të pandemisë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë regjistruar numrin më të madh të viktimave, të ndjekura nga India e Brazili.