Bota

Kinë, mjekëve iu kërkohet të mos përmendin COVID-in në certifikatat e vdekjes!

Nuk mjaftoi një ditë e ngarkuar në një spital të Pekinit, për çudinë e të gjithëve mjekët u përballën me një porosi “me urdhër nga lart”. Në Departamentin e Emergjencës, bluzat e bardha duhet të përpiqen “të mos shkruajnë” COVID-19, sëmundjen që shkakton koronavirusi, në certifikatën e vdekjes së një pacienti.

Pra, nëse viktima ka pasur edhe ndonjë sëmundje shoqëruese, ajo duhet të përmendet si shkaktarja kryesore, sipas dokumentit që ra në duart e agjencisë së lajmeve Reuters. Nëse mjekët besojnë se vdekja është pasojë e pneumonisë së shkaktuar prej COVID-19/ës, ata duhet t’iu raportojnë eprorëve, që një vdekje me koronavirus të jetë e konfirmuar në dy nivele.

Gjashtë mjekë të spitaleve publike në Kinë i thënë Reuters-it se në biseda iu është thënë që të mos ua atribuojnë vdekjet koronavirusit ose janë të vetëdijshëm që spitalet kineze kanë politika të tilla.

Disa familjarë të pacientëve që humbën jetën nga koronavirusi pohuan se në certifikatat e vdekjes nuk rezulton shkaku. Po ashtu, disa pacientë raportuan se nuk janë testuar për koronavirus, edhe pse kanë pasur simptoma. Një mjek në spitalin e madh publik të Shangait u shpreh:

Nga koha e lehtësimit të kufizimeve në dhjetor, nuk na lejohet t’i klasifikojmë vdekjet me koronavirus. Kjo nuk ka kuptim, sepse gati të gjithë janë pozitivë.

Të tilla direktiva janë kritikuar nga ekspertët globalë shëndetësorë dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, OBSH pasi Kina nuk i ka raportuar në mënyrë të saktë vdekjet me koronavirus, sidomos që kur në dhjetor braktisi regjimin e zero rasteve me virusin.

Më 15 janar, zyrtarët kinezë thanë se 60 mijë persona humbën jetën në spitalet kineze brenda një muaji.  Pra, 10 herë më shumë viktima janë regjistruar prej heqjes së kufizimeve, por ekspertët thonë se shifrat mund të jenë edhe më të mëdha e Kina të regjistrojë më shumë se një milion vdekje me koronavirus këtë vit.

Qendra kineze për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Komisioni Kombëtar Shëndetësor i Kinës, nuk u janë përgjigjur kërkesave për koment.