Film & Tv

“King Richard”. Jepini një Oscar Will Smith-it! Kritikë.

Në librin e tij me kujtime të 2014 “Black and White: The Way I See It”, Richard Williams, babai i jo një po dy legjendave të tenisit botëror, Venus dhe Serena, tregon historin e linçimit të  shokut të tij më të mirë të fëmijërisë, Lil Man. Kjo dhe ngjarje të tjerat të abuzimit të tij në një kohë që komuniteti afroamerikan në SHBA hiqte shumë më keq se sot (edhe pse kjo mund të jetë e debatueshme, mjaft të lexoni lajmet për Black Lives Matter), janë pak për të kuptuar pse Williams ishte ai që ishte dhe bëri atë që bëri për të kthyer dy vajzat e tij në dy tenistet më të famshme në botë.

Në interpretimin që Will Smith (53 vjeç) i bën Williams, aktori i cili ka qënë  i nominuar dy herë për Oscar, “Ali” (2002), “The Pursuit of Happyness” (2007), shkëlqen në sasi verbuese.

E kam humbur Oscar-in karshi dy aktorëve të tjerë afroamerikanë, fillimisht me Denzel Washington dhe pastaj me Forest Whitaker

– thotë Smith duke qeshur në një intervistë me Irish Times menjëherë mbas shpalljes se kandidaturave të këtij viti ku meqë ra fjala, Washington mori kandidaturën e tij të dhjetë për Oscar (për rolin e tij të Makbethit tek “The Tragedy of Macbeth” [Apple+], duke u bërë kështu aktori afroamerikan më i nominuar në historinë e famshme botërore që vlerëson artin e shtatë.

Filmi tregon të gjithë përpjekjet përtej të pamundurës të Richard Williams për t’ja arritur qëllimit me vajzat e tij të talentuara në një kohë që afroamerikanët që luanin bardhë të tenisit numëroheshin me gishtat e njërës dorë. Në filmin që të dyja motrat shërbejnë si producente ekzekutive edhe pse gjërat mund të jenë zbukuruar disi, tregohet me një ekulibër fantastik të mirat dhe të këqijat e një babai dhe një familje për t’ia dalë. Një nga aspektet më të vlerësueshme të këtij babai është dhuntia e tij fantastike për të bërë gjërat në kohën e duhur, për t’i dhuruar vajzave të tij, fëmijërinë e nevojshme, diçka që jo shumë prindër të fëmijëve me talent arrijnë ta bëjnë. Dëshirës për para dhe famë shumë pak arrijnë ti rezistojnë, e për pasojë, jo rrallë herë talentet fëmijë përfundojnë në njerëz që abuzojnë me drogat, alkoolin etj.

Edhe pse filmi tregon disa aspekte të vështira të jetës personale të Williams (si përshembull tradhëtitë e vazhdueshme të tij, si edhe fëmijët nga lidhje jashtë martesore – vajza e tij më e madhe, Sabrina në një intervistë për ‘The Sun’ e ka quajtur të atin me ironi një dhurues sperme, duke pretenduar se ai ka më shumë se 20 fëmijë jashtë martese. Williams ka qënë i martuar 3 herë, dhe akuzohet nga bashkëshortja e parë se e la vetëm me 6 fëmijët e saj), ai është autentik, kryesisht nga loja e shkëlqyer e Smith. Aktori me eksperiencë 35 vjeçare e ka këtë me siguri rolin më të spikatur të karrierës, i zhytur komplet në petkun e personazhit kompleks të mbiquajtur Mbreti Richard. Richard Williams është emblematik, i formëzuar nga varfëria, dhuan dhe diskriminimi. Aftësia e Smith për ta udhëhequr filmin, ndihmohet edhe nga performanca e ngrohte dhe dinjitoze e Aunjanue Ellis e cila luan bashkëshorten e tij Oracene Price. “King Richard” është një film që të shijon edhe pse ndonjëherë duket sikur është një listë me numra nga 1-10 për 10 gjërat që duhet të bësh për t’ja dalë në jetë.

Pa dashur t’iu tregoj më shumë nga historia, e fundit që na ngelet të themi është se urojmë që Smith të shpërblehet për punën e tij, ndryshe nga “The Revenant” i Di Caprio-s, ky është vërtet filmi i tij më i mirë! Deri më tani…