Rajoni

KIPRED: “Rusia intensifikon përpjekjet diplomatike anti-Kosovë”!

KIPRED, Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave prezantoi sot në Prishtinë rezultatet e një studimi, sipas të cilit, “intensifikimi i bashkëpunimit ruso-serb kundër shtetësisë së Kosovës dhe stabilitetit e sigurisë në Ballkanin Perëndimor, mund të ketë ndodhur gjatë vizitës së presidentit serb, Aleksandar Vuçiç në Rusi”, ku më 25 nëntor takoi homologun, Vladimir Putin.

Sipas KIPRED-it, “bllokimi i dialogut Prishtinë-Beograd, krijoi terren të mirë që Moska të intensifikojë luftën diplomatike kundër Kosovës”.

Kjo luftë po bëhet për t’i dhënë goditje përpjekjeve të Perëndimit në gjetjen e zgjidhjes së qëndrueshme ndaj mosmarrëveshjeve mes dy vendeve fqinje. Analizat e deklaratave, të konferencave për shtyp e të dokumenteve të politikës së jashtme ruse nga 15 gushti deri më 31 tetor 2021, tregojnë qartë vazhdimin e synimit për të rrënuar themelet e shtetësisë së Kosovës. Gjithashtu, për t’i akuzuar autoritetet kosovare për ushtrim të dhunës ndaj komunitetit serb dhe për t’ua mohuar të drejtën për të luftuar kundër krimit të organizuar në të gjithë territorin e vendit.

Po ashtu, KIPRED analizoi luftën e mediave shtetërore ruse kundër Kosovës, duke vënë në dukje se ndjekin linjën e qeverisë e të politikës së jashtme, ndërsa “Sputnik Serbia”, “Russia Today” dhe “TASS”, qëndrojnë në krye të dezinformimit të opinionit publik. “Observeri i Kosovës: Lufta Diplomatike Ruse dhe Dezinformimi Medial” – është një raport tremujor i KIPRED-it. Bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kanë filluar në vitin 2011. Prej asaj kohe janë arritur një sërë marrëveshjesh, por shumica prej tyre, të pazbatuara në praktikë.

Pengesa më e fundit në dialog lidhet me marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë. Bisedimet synojnë arritjen e një akordi gjithëpërfshirës e ligjërisht të zbatueshëm për palët. Duke vënë në pikëpyetje legjitimitetin e njohjes së Kosovës nga shtetet perëndimore, politikat e Kremlinit synojnë të vënë në pikëpyetje edhe vlefshmërinë e kufijve të Bosnjes, duke përkrahur prirjet separatiste të udhëheqësit të Republikës Sërpska, Milorad Dodik.