Celebrities Live From Tirana

“Kisha frikë të dilja nga hoteli, më kanë kërcënuar”/MIRUD tregon si e ka përjetuar pjesëmarrjen e tij vitin e kaluar në Festivalin e Këngës dhe jo vetëm!

Sot në emisionin “Live from Tirana” ishte i ftuar në studio personazhi më ‘IN’ i Festivalit të Këngës këto 4 vitet e fundit, Mirudi. Sa i përket pjesëmarrjes vitin e kaluar në Festivalin e Këngës, Mirudi ka disa fjalë për të thënë:

Nuk kam qenë fare prezent. E kam ndjerë në skenë, nuk kam qenë në kontakt as me veten as me këngën. Kam pasur një periudhë të rëndë pas festivalit, jam ndjerë i turpëruar për mënyrën si kam kënduar, jo për veshjen. Kur kam dalë nga skena e vetmja gjë që mendoja ishin komentet nga njerëzit. Unë nuk e di pse por pas natës së parë kam pas frikë të dalë nga hoteli, jam ndjerë i tmerruar dhe i frikësuar, jo se fizikisht kanë tentuar të më bëjnë gjë por nga komentet online dhe kërcënimet që më kanë bërë kam patur shumë frikë. Në Amerikë nuk do më komentonin kurrë për këtë gjë.

Sa i përket deklaratës së Mentor Hazirit për këngëtarët me prejardhje nga Kosova që nuk pranohen në Festivalin e Këngës, si e komenton Mirudi këtë ngjarje që shkaktoi jo pak bujë në media?

Kam patur probleme me atë postim ne anë të ndryshme. Problemi i parë ka qenë se e ka bërë shumë personale me artistë të tjerë dhe nuk ka pas të bëjë fare me artistë të tjerë. Më ka përmendur mua dhe Albanin që nuk jemi nga Kosova. Unë nuk kam shtetësi as nga këtu as nga Kosova, kam shtetësi amerikane, por jam shqiptar dhe nuk e kam ndjerë këtë gjë që Mentori thotë. Jam ndjerë i përkrahur dhe karriera ime ka më shumë sukses në Shqipëri se në Kosovë. Fatkeqësisht këtu kam gjetur më shumë mbështetje se në Kosovë. Më janë hapur gjithmonë dyert. Ka patur raste që shumë artistë kosovar këtu kanë patur sukses, kështu që nuk besoj se ka qenë e bazuar në realitet ajo që ka thënë, thjesht mendoj se ka qenë i lënduar.

Cilat janë planet e artistit pas festivalit?

Kam një këngë tjetër me Kledin, është ritmike e kam përfunduar, po punoj me videoklipin dhe do e lançoj pas Festivalit. Kam një koncert timin me 21 dhjetor këtu në Tiranë. Po mundohem të jem aktiv. Ky është koncerti im i parë solo këtu në Tiranë dhe mezi po pres.

Çfarë na zbulon Mirudi ekskluzivisht për TAR?

Do të jem në ‘American Song Contest’ për New York-un. Më kanë marrë në telefon nga qershori dhe jam i lumtur për atë mundësi. Është versioni i ‘Eurovision Song Contest’ që do bëhet në Amerikë vetëm për Amerikën. Do të konkurrojnë 50 shtete dhe në fund voton publiku se kush do të fitojë. Kënga është përfunduar, është pop-dance.