Bota

Kisha Katolike kritika rezolutës së Parlamentit Europian për abortin!

Kisha Katolike kritikoi rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian për ta konsideruar abortin si të drejtë themelore dhe gjithashtu për ta përfshirë në Kartën e të Drejtave Themelore. Në Bruksel, Sekretari i Përgjithshëm i Komisionit të Peshkopëve të Bashkimit Europian, COMECE, Manuel Barrios Prieto, tha se “Parlamenti i BE-së po shkel një territor që është jashtë kompetencave të tij dhe po ndërhyn në çështjet e brendshme të shteteve demokratike”.

COMECE, që përfaqëson konferencat e peshkopëve katolikë pranë institucioneve të Bashkimit Europian u shpreh kundër promovimit të “axhendave politike radikale”, duke theksuar idenë se ato rrezikojnë të drejta themelore si liria e mendimit e fesë, si dhe dëmtojnë kohezionin social.

Kërkesa e Parlamentit Europian për ta përfshirë abortin në Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Europian mund ta rrezikojë seriozisht reformën e traktateve të BE-së dhe të intensifikojë mosmarrëveshjet midis qytetarëve dhe shteteve anëtare.

Sipas fesë katolike jeta e individit duhet të mbrohet që nga ngjizja deri në vdekjen e tij natyrore.

BE: Prirje e qartë drejt legalizimit të abortit

Në Europë duket se ka një prirje e qartë drejt legalizimit të abortit dhe heqjes së pengesave ligjore e politike. Shumë vende europiane, mes tyre edhe shtete me popullsi katolike si Irlanda e Spanja i kanë rishikuar ligjet e tyre për abortin, duke hequr masat që e bëjnë të vështirë ose të paligjshme ndërprerjen e shtatzënisë.

Irlanda, ku aborti ndalohej me ligj që prej vitit 1983, e ka riparë legjislacionin e saj, pasi në një referendum në vitin 2018, irlandezët votuan me shumicë dërrmuese kundër këtij ndalimi. Nga ana tjetër në Maltë aborti është i ndaluar ndërsa edhe në Poloni apo Hungari, aktualisht po vendosen rregulla shumë strikte dhe barriera për abortin.

Jashtë Europës, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pati një zhvillim shumë të debatueshëm e të kritikuar nga Shtëpia e Bardhë kur muajin e kaluar, Gjykata e Lartë i dha fund mbrojtjes kushtetuese për abortin e që ka qenë në fuqi prej gati 50 vitesh, duke vendosur të përmbysë vendimin historik.