Botë e Çuditshme

Kishin ‘botox’ dhe ‘lifting’ në fytyrë, dhjetra deve skualifikohen në konkursin e bukurisë!

Një konkurs i çuditshëm bukurie në Arabinë Saudite, me protagonistë devetë, është “ndezur” nga polemikat. Sipas agjencisë zyrtare “SPA”, më shumë se 4o deve janë skualifikuar nga ky festival i rëndësishëm për shkak se janë konstatuar “manipulime” me kafshët, siç janë injeksionet me “botox” apo “lifting” fytyre.

Këto praktika, të cilat janë të ndaluara në këtë lloj konkursi, janë kryer për t’i dhënë kafshëve një pamje më të bukur për jurinë. Pas rishikimeve, komiteti mjekësor i Festivalit të Mbretit Abdulaziz të Deveve, zbuloi 16 raste të injektimeve “botox” dhe 27 “lifting” fytyre. Sipas agjencisë SPA, ky është numri më i madh i modifikimeve estetike që janë zbuluar në historikun e shkurtër të këtij eventi.

Çdo vit, mbarështuesit e deveve më të bukura ftohen të konkurrojnë për çmime totale prej rreth 66 milion dollarë. Ndalohen rreptësisht injeksionet e botoksit, ngritje e fytyrës dhe ndryshime të tjera kozmetike për t’i bërë devetë më tërheqëse. Gjyqtarët vendosin fituesin sipas formës së kokës, qafës, gungave, stolive, por edhe qëndrimit të deveve.

Konkursi i bukurisë për devetë është atraksioni më i madh i festivalit, gjatë të cilit zhvillohen garat e deveve, shitjet e kafshëve dhe festa të tjera që zakonisht mbledhin mijëra njerëz. Festivali kërkon të ruajë rolin e devesë në traditën dhe trashëgiminë beduine të mbretërisë, edhe pse vendi i pasur me naftë vazhdon të zhvillojë projekte mega-modernizimi. Ky konkurs është një industri shumë milionëshe dhe ngjarje të ngjashme po zhvillohen në të gjithë rajonin.