Botë e Çuditshme

Kishte peshë shumë të rëndë, ekuipazhi i avionit u kërkon 5 pasagjerëve që të zbresin!

Pasagjerët në bordin e një aeroplani me destinacion Milanon, gati për t’u nisur nga Londra, mbetën të habitur kur stafi i linjës ajrore kërkoi pesë vullnetarë për të zbritur nga aeroplani. Dhe kjo vetëm sepse pesha e tij ishte shumë e rëndë.

Ngjarja e çuditshme, e dokumentuar në një video në Instagram nga gazetari italian Gianluigi Nuzzi, ndodhi në aeroportin e qytetit të Londrës në bordin e një fluturimi të ITA Airways. Që të gjithë pasagjerët kishin hipur në aeroplanin i cili do të ngrihej në orën 13:45, por u vonua për shkak të erërave të forta. Kushtet e pafavorshme të motit bënë që aeroplani të kishte nevojë për karburant shtesë, për të përballuar një ngritje më të gjatë, megjithatë kjo e bëri aeroplanin të kishte peshë “shumë të madhe”, sipas mediave italiane.

Pasi priti që era të pushonte, ekuipazhi i kabinës nisi kërkesën e pazakontë, me mirësjellje të një gazetareje tjetër italiane, Alessia Tarquinio, e cila spontanisht mori rolin e përkthyeses. Në videon e postuar, ajo dëgjohet teksa thotë:

Ata janë në kërkim të katër burrave dhe një gruaje të gatshëm të largohen…në minutat e ardhshme do t’ju bëjnë një ofertë… Unë nuk mund të zbres sepse po punoj, po bëj rolin e përkthyeses për ju…

Pas negociatave, si përfundim pesë pasagjerë u gjetën dhe secili u shpërblye me një kupon prej 250 eurosh dhe një transferim në Heathrow për të marrë një aeroplan tjetër për në Itali. Fluturimi i ITA Airways, me një ngarkesë pak më të lehtë, përfundimisht u ngrit dhe mbërriti në aeroportin Milano Linate tre orë më vonë nga sa ishte planifikuar.