Aktualitet

Ngeci në grykëderdhjen e Vjosës, Policia Kufitare e Vlorës ndihmon qytetarin gjerman!

Paraditen e sotme, një qytetar gjerman u ndihmua nga Policia Kufitare e Vlorës pasi kishte humbur kontaktet me familjarët. Shkak u bënë problemet me drejtimin e velierës në ujërat detare shqiptare, si rezultat i motit të keq. Policia bën të ditur se mjeti lundrues u lokalizua në grykëderdhjen e lumit Vjosë teksa kishte ngecur në cekëtinë.

Autoritetet shqiptare u njoftuan nga Interpol Gjermania përmes zyrës së Interpolit në Tiranë. Shtetasi gjerman ishte nisur me mjet lundrues velierë, nga Korfuzi në drejtim të Sllovenisë. Por, mësohet se humbi kontaktet me familjarët e tij, gjatë drejtimit të mjetit lundrues në ujërat detare të Shqipërisë.

Njoftimi zyrtar:

Menjëherë shërbimet e Policisë Kufitare kanë organizuar punën për kërkimin e mjetit lundrues dhe shpëtimin e shtetasit që e drejtonte atë.  Pas disa orësh kërkime, u bë i mundur lokalizimi i mjetit lundrues në cekëtinë, në grykëderdhje të lumit Vjosë, së bashku me kapitenin, të cilit iu dha ndihma e parë dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Sipas uniformave blu, në bashkëpunim me operatorët privatë po bashkëpunohet për të bërë të mundur tërheqjen e mjetit lundrues nga cekëtina e grykëderdhjes së lumit Vjosë, për ta transportuar në Portin e Vlorës.