Celebrities Pardon My French

“Kjo mund të ketë qenë një lloj strategjie…” Ja çfarë zbulon Ilir Shaqiri në TAR!

Ai është fituesi i “Big Brother Vip Albania” dhe bëhet fjalë pikërisht për Ilir Shaqirin. Ai triumfoi në shtëpinë më të famshme në Shqipëri duke rrëmbyer çmimin e madh dhe sot dha një intervistë ekskluzive në Top Albania Radio. Teksa u shpreh se i mungon shumë shtëpia ku kaloi katër muajt e fundit, ai pranoi se po pret me padurim të shkojë në Itali për të takuar dashurinë e tij si edhe të bijën.

E teksa kujtojmë sa të vështirë e pati vendimin për shtyrjen e programit, Iliri surprizoi ditën e sotme teksa tregoi se jo 3 muaj, por një vit do të pranonte të shtyhej qëndrimi në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, në rast se familja e tij do të binte dakord. E vetmja gjë që i nevojitej, ishte pikërisht konfirmimi i nënës, babait, bashkëshortes dhe vajzës. Ndërkohë, lidhur me finalistët e tjerë, Iliri u shpreh se e kishte parashikuar rrugëtimin e tyre.

Unë kam parë sigurisht konkurrent shumë të fortë Donaldin, Beniadën dhe Einxhelin. Këtë parashikim e kam bërë në janar se si do të ishte finalja. Kam thënë që Beniada ishte konkurrente e fortë sepse kishte rritje konstante dhe sigurisht pas këngës së Ponit e dija që Beniada ishte shumë lart.

Sheshherë është folur nëse ka patur apo jo Iliri strategji në Big Brother dhe lidhur me lojën e tij, ai u shpreh ditën e sotme në TAR.

Unë lojtar, nëse lojë quani karakterin, kam qenë gjithmonë. Unë nuk i mbaj gjërat për vete dhe nëse mërzitem e them. Loja ime ishte që të njihja lojtarët e tjerë, banorët e tjerë. Me të rinjtë isha i pari që i njoha, Tan Bramën, Arbrin, madje edhe me Xheisarën pata një marrëdhënie të mirë. Që në momentin që hynë 5 banorët e fundit, dëshira ime ishte t’i njihja.

Donald Veshaj ishte konkurrenti më i fortë i Ilirit, i cili ia doli deri në vendin e dytë në “BBV”. Pikërisht lidhur me të dhe strategjinë që Iliri ndoqi, ai u shpreh si më poshtë.

Në qoftë se Donaldi do të kishte qenë inteligjent dhe ta kishte fokusuar veten në situatën me Borën, unë mendoj që do të fitonte. Nuk ndërhyra në raportin e tij me Beatrix sepse nuk kam dashur të interferoj në një lidhje. Donaldit ia thashë që mund ta kishte zhvilluar, mbajtur, interpretuar deri në fund atë që nisi me Borën, por nëse do ta kishte bërë mendoj që publiku do i kishte dhënë atë çmimin që aq shumë dëshironte.

Për sa i përket lidhjes me Trixën, nuk e kam mbështetur sepse nuk mbështes dashuritë që nisin brenda shtëpisë. Por kam shprehur që si ndjesi shikoja një Beatrix supër të dhënë, një Donald shumë të ëmbël në drejtimin e saj dhe nuk kam dashur ta komentoj sepse duke goditur, përdorur, shfytëzuar këtë lloj situate, do të kisha dëmtuar vetveten. Kjo mund të ketë qenë një lloj strategjie që duke mos komentuar lidhjen Donald-Beatrix, u gjenda jashtë komenteve, por në sytë e tyre unë shikoja alkimi. Me daljen e Trixës nisi një lloj krisje. Beatrix është një person shumë i dashur që jepet, Donaldi e kishte mendjen më shumë te loja se te dashuria.

Kujtojmë, se Tokja ka qenë shumë i diskutuar në shtëpinë e “Big Brother” për raportin që ka patur me Ilirin. Pikërisht për këtë raport, ka folur ditën e sotme Iliri në “Pardon My French”.

Tokja ishte shumë sistematik në ushtrime. Unë Token e mbaj mend sepse ka qenë në “Dancing With the Stars”, por nuk e mbaja mend në kontekstin e Romeos sepse atje kishte shumë persona. Më bezdisi fakti që erdhi për diçka profesionale dhe më pas foli për gjëra rreth anës njerëzore.

Iliri gjithashtu u shpreh edhe për pikën e tij të dobët, Emily. Ai na tregoi më shumë rreth karrierës së saj dhe planet që ajo ka për një bashkëpunim me një artist shqiptar.

Është e kompletuar në aktrim, balet, këngë. Emily ka punuar që e vogël dhe kjo i ka dhënë ndihmë nga ana profesionale. Nuk mjafton vetëm studimi, por edhe praktika. Unë ëndërroj që një ditë të jetë një Zhuljetë në muzikal, do doja shumë që vajza ime një ditë të ishte pjesë e një muzikali.

Në “Big Brother Vip” absolutisht që nuk do doja, por nëse ajo do të donte sigurisht që në një moshë do të mund të vendosë vetë.

Emily ka një projekt me një super këngëtar shqiptar, një personazh që është afër vajzës sime për sa i përket muzikës.