Live From Tirana Sociale

Kleina Kasanai zbulon çfarë është dhe si mund të bëheni pjesë e “Agjencisë Kombëtare të Rinisë”

Asambleja e Kombeve të Bashkuara ka shpallur datën 3 maj si ‘Ditën e Lirisë së Shtypit” dhe pikërisht në këtë datë, “Live From Tirana” kishte në studio, Kleina Kasanai, drejtoreshën e “Agjencisë Kombëtare të Rinisë”.

Me siguri kjo nuk është hera e parë që e dëgjoni këtë agjenci dhe nëse jeni në kërkim të projekteve të mëdha rinore atëherë ky artikull është mëse i përshtatshëm për ju. Kleina zbuloi më tepër detaje rreth kësaj agjencie, cili është qëllimi i tyre dhe mënyrat se si çdo i ri mund të bëhet pjesë.

“Agjencia Kombëtare e Rinisë” është një agjenci shtetërore në varësi të Ministrisë së Arsimit Sportit dhe Rinisë, që si qëllim kryesor ka implementimin e të gjithë politikave rinore dhe përfshirjen e të rinjve në projekte të ndryshme. Kjo është një iniciativë e qeverisë shqiptare që prej shtatorit të vitit të kaluar dhe Kleina thekson se megjithëse është një punë mjaft e bukur, njëkohësisht është edhe një sfidë e vërtetë.

Por si mund të bëhen të rinjtë pjesë e saj?

Fillimisht të rinjtë duhet të informohen dhe më pas mund ta kontaktojnë agjencinë në të gjitha format. Mënyra tjetër është që ata t’i bashkohen një organizate rinore apo për të rinj, të cilat ne kemi mundësi t’i mbështesim përmes granteve. Ne e kemi nisur këtë proces kohët e fundit përmes një pune përmbajtësore. Ne do të kemi edhe një thirrje të veçantë të dedikuar për Bashkitë e Republikës së Shqipërisë. Këta të fundit mund të na bashkohen përmes propozimit të projekteve të ndryshme në funksion të rinisë në Bashkitë respektive.

Së fundmi, ata gjithashtu i gjeni edhe në rrjetet sociale përmes një nisme të vogël të quajtur #iriuimuajit ku çdo muaj promovohet një i ri nga fushata të ndryshme. Kjo sigurisht, për të spikatur më të talentuarit dhe për t’i promovuar ata. Fokusi kryesor i “Agjencisë Kombëtare të Rinisë” është rëndësia që i jepet të rinjve duke bërë që zëri i tyre të dëgjohet.