Aktualitet

KLGJ reagon për etiketimet fyese ndaj gjyqtarëve!

Këshilli i Lartë Gjyqësor, KLGJ reagoi ndaj disa deklaratave me etiketime dhe aludime fyese e jo etike ndaj gjyqtarëve, nga palë ose përfaqësues të tyre dhe emisione të transmetuara në media të caktuara.

Në një deklaratë për mediat, Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh opinionit publik shqetësimin për këto akte që sipas tij, “cënojnë rëndë figurën e gjyqtarit, pavarësinë dhe besimin e publikut ndaj sistemit gjyqësor, që nga sa duket kanë marrë shkas nga mosdakordësitë dhe pakënaqësitë për vendime gjyqësore të dhëna nga gjyqtarët gjatë ushtrimit të detyrës”.

Si organ i ngarkuar nga Kushtetuta për të garantuar pavarësinë, përgjegjshmërinë dhe mbarëvajtjen e pushtetit gjyqësor, Këshilli i Lartë Gjyqësor sjell në vëmendje të opinionit publik se Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë garanton që gjyqtarët janë të pavarur në ushtrimin e funksioneve, i nënshtrohen Kushtetutës dhe ligjeve, ndërsa cënimi i reputacionit të gjykatave dhe gjyqtarëve, sjell përgjegjësi sipas ligjit.