Aktualitet

KLP vendos shkarkimin e prokurores së Dibrës, Belina Zeneli!

Këshilli i Lartë i Prokurorisë pranoi sot kërkesën e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë lidhur me dhënien e masës disiplinore “Shkarkim nga detyra” për prokuroren Belina Zeneli e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër. Hetimi ndaj magjistrates nisi pas ankesës së depozituar në ILD nga Prokurori i Përgjithshëm.

Nga hetimi disiplinor që përfshiu punën e magjistrates në periudhën 2013-2021, u konkludua se veprimet dhe mosveprimet e prokurores përbëjnë mospërmbushje të pajustifikuar dhe të përsëritur të funksioneve gjatë hetimit, duke sjellë zvarritje të pajustifikuara të akteve procedurale, të cilat janë të detyrueshme për zbatim nga ana e magjistratëve.

Magjistratja ka kryer të njëjtën shkelje, gjatë periudhës kohore 2013- 2021, duke bërë që shkelja të jetë vazhduese. Veprimet e prokurores kanë sjellë pasoja në dhënien e drejtësisë dhe cënuan imazhin e organit të akuzës, duke ulur besimin e publikut tek drejtësia.

Në njoftimin e ILD-së thuhet:

Ato përbëjnë shkelje shumë të rëndë disiplinore, që diskrediton pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë i propozoi Këshillit të Lartë të Prokurorisë masën disiplinore “Shkarkim nga detyra”, parashikuar nga neni 105, pika 1, shkronja “dh” dhe neni 111, pika 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, si dhe neni 148/d, pika 2, shkronja “a” e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, masë që u pranua nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.