Aktualitet

KLSH kallëzon në SPAK drejtorin e AKU-së, “oksid etileni” në akullore!

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka kallëzuar në SPAK drejtorin e Përgjithshëm të AKU-së Bledar Skënderi për shpërdorim detyre.

KLSH thotë se ka ushtruar kontroll në këtë institucion dhe ka dalë në përfundiminin se nuk është reaguar si duhet ndaj situatës së krijuar me alarmin e ngritur nga Bashkimi Europian për sasi ‘oksid etileni’ në disa akullore.

Kontrolli i Lartë i Shtetit, duke marrë shkas nga problematika e trajtuar në disa media, për t’iu përgjigjur ndjeshmërisë së publikut dhe informimit të tij për çështjet që lidhen me garantimin e sigurisë ushqimore, ushtroi jashtë  programit vjetor të miratuar, auditimin tematik në Drejtorinë e Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit me objekt:

”Mbi procedurën e ndjekur nga DPAKU nga marrja e njoftimit nëpërmjet sistemit RASFF (sistemi i njoftimit të shpejtë për ushqimin e popullatës dhe ushqimin për kafshë) për përdorimin e paautorizuar të substancës “oksid etileni” në prodhimin e produktit ”Akullore” (importuar dhe tregtuar në tregun shqiptar), deri në inspektimin, bllokimin, tërheqjen nga tregu dhe asgjësimin e saj”, thuhet në njoftimin e KLSH.

Nga auditimi i ushtruar, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar mosveprime të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit, të cilat janë në kundërshtim flagrant me ligjin dhe aktet nënligjore që rregullojnë veprimtarinë e institucionit të drejtuar prej tij. Për mosveprimet e Drejtorit të DPAKU, KLSH ka depozituar kallëzimin penal në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Shpërdorim detyre”, parashikuar në nenin 248 të Kodit Penal.

Autoriteti Kombëtar i Ushqimit pati bërë një bilanc në lidhje me akulloret e paketuara me lëndë kancerogjene të disa firmave të njohura, ku tha se totali i atyre akulloreve që kanë hyrë në vendin tonë kap sasinë prej më shumë se 16 ton dhe nga këto mbi 11 ton janë konsumuar nga qytetarët, ndërsa pjesa tjetër është asgjësuar. AKU tha se ka nisur kontrollet sapo mori njoftimin nga KE duke gjurmuar të gjithë subjektet që janë furnizuar me to