Aktualitet

Koalicioni Meta-Berisha pa numërues votash në gjysmën e tavolinave, Kolegji Zgjedhor pranon pjesërisht kërkesën e PL: KAS duhet të marrë një vendim!

Koalicioni Berisha-Meta ka mbetur pa numërues votash në gjysmën e grupeve të numërimit të vendit dhe beteja ligjore vijon. Ka qenë së fundmi një vendim i Kolegjit Zgjedhor i cili ka pranuar pjesërisht kërkesën e Partisë së Lirisë dhe ka detyruar KAS për të marrë një vendim. Kujtojmë se Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve në KQZ rrëzoi kërkesën e PL për të pasur anëtarin e katërt në grupet e numërimit me argumentimin se ‘nuk kishte votat për të marrë një vendim’.

Tashmë çështja do të rikthehet në KAS i cili do të detyrohet të marrë vendimin nëse Partisë së Lirisë i takon anëtari i katërt në të gjitha tavolinat e numërimit të votave apo jo.

Sipas ligjit, nga 4 anëtarë, 2 numërues i përkasin PS-së dhe 1 PD-së. Ndërkohë, sipas shortit që u hodh në KQZ pak ditë më parë, Koalicioni Meta-Berisha do të ketë numërues të votave për zgjedhjet e 14 majit vetëm në tavolinat e numërimit me numër tek në të gjitha KZAZ-të e vendit. Ndërsa, Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet në tavolinat me numër çift.

Partia e Lirisë kishte ankimuar në Komisionin e Ankimeve dhe Sanksioneve vendimin e KQZ për ndarjen e anëtarin e katërt e KZAZ-së mes Partisë së Lirisë dhe Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, por kërkesa u rrëzua, duke lënë kështu koalicionin Berisha-Meta pa anëtarë në gjysmat e KZAZ-ve të vendit.